Prokuroria e Shkodrës ka përfunduar hetimet lidhur me vetëvrasjen e shtetases Alma Arrazi e cila u mbyt në ujërat e lumit Buna bashkë më tre fëmijët e saj.
A2 CNN bën të ditur se Prokuroria ka kërkuar 6 vite burg për shtetasin Erdgys Arrazi për akuzën e shkaktimit të vetëvvrasjes së bashkëshortes së tij Alma Arrazi, e cila në majin e vitit të kaluar zgjodhi që të vetëvritet duke i shkaktuar vdekjen edhe tre fëmijëve të saj me të cilët u hodh në lumë.
Organi i akuzës ka kërkuar që dënimi të ulet në 4 vite sepse Arrazi ka pranuar gjykimin e shkurtuar. Sipas prokurorisë Erdgys Arrazi ka kryer sjellje që diskretitojnë dinjitetin e Alma Arrazit duke e detyruar atë të vetëvritet dhe të mbysë edhe tre fëmijët e saj.
Për shkak të ndarjes nga jeta të nënës kjo akuzë e dytë është pushuar nga prokuroria e Shkodrës. Pas përfundimit të hetimeve nga prokuroria dhe kërkesës për 6 vite burg për Erdgys Arrazin i ulur në 4 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar, pritet që avokatët të paraqesin mbrojtjen e tyre dhe pas palës mbrojtëse gjykata e shkallës së parë në Shkodër pritet që të japë edhe vendimin e saj lidhur me këtë ngjarje të rëndë.
Policia pas kësaj ngjarje të rëndë arrestoi bashkëshortin e viktimës dhe babain e tre fëmijëve. Arrazi më përpara ka mohuar se është ai shkaktari i vetëvrasjes së bashkëshortes dhe për rrjedhojë edhe i tre fëmijëve të mitur duke thënë se dyshimet dhe akuzat se e ka keqtrajtuar dhe dhunuar psikologjikisht apo fizikisht Alma Arrazin ishin të pavërteta por më pas i dyshuari ka pranuar gjykimin e shkurtuar.
Tashmë pritet se cili do të jetë vendimi i gjykatës së shkallës së parë në Shkodër pas përfundimit të hetimeve nga prokuroria dhe mbrojtjes që do të paraqesin avokatët.