Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla deklaroi sot se, Kryeministri nuk ka detyrim të vijë në interpelancë për të sqaruar një shpifje.
Në përgjigje të kërkesës së kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi për një interpelancë me Kryeministrin Edi Rama lidhur me çështjen “Becchetti”, Balla tha se, “Kryeministri e ka të pamundur t’i lërë angazhimet veta për t’iu përgjigjur kësaj kërkese për interpelancë, ose më saktë, të japë llogari për një shpifje të propaganduar publikisht”.
“E them shpifje, sepse bëhet fjalë për një lajm të rremë se shteti shqiptar i paska paguar 130 milionë euro një elementi kriminal me të cilin shteti shqiptar po vazhdon të përplaset në gjyqe apo procese penale, jo vetëm në Shqipëri, sepse elementi kriminal në Shqipëri është i dënuar me vendim të formës së prerë, por edhe në shtete të tjera të Evropës, dhe këtu na thuhet që kërkohet të vijë Kryeministri për të sqaruar një shpifje”, tha Balla.
“Ma gjeni në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë se cili është detyrimi i Kryeministrit apo i anëtarëve të tjerë të Këshillit të Ministrave që të paraqitet për të sqaruar një shpifje”, iu drejtua Balla deputetëve të opozitës.
Balla garantoi që “jo vetëm Kryeministri, por të gjithë ministrat e kësaj qeverie janë të gatshëm të vijnë në çdo lloj forme kontrolli parlamentar, përfshirë interpelancën, por vetëm kur kërkesa juaj të motivohet me fakte që mbrojnë interesin publik dhe në asnjë rast për kërkesa që bazohen mbi shpifje”.
“Ky Kuvend, të paktën nga vitit 1998 me Kushtetutën dhe po ashtu me Rregulloren që pasoi atë Kushtetutë, e ka të pasur traditë parlamentare sa i përket refuzimit të interpelancave, kur interpelancat nuk janë në formë, nuk janë në frymë dhe nuk janë në germë të kësaj Rregulloreje”, tha Balla.
“Kryeministri, apo çdo anëtar tjetër i qeverisë, vjen për të dhënë shpjegime për motive, për synime, për qëndrime të Këshillit të Ministrave, apo me aspekte të rëndësishme të veprimtarisë së tyre. Nuk thuhet asgjëkund, as në Kushtetutë e as në Rregullore që kryeministri apo anëtarët e qeverisë duhet të vijnë dhe të japin shpjegime për shpifje”, theksoi Balla.
Ministri theksoi se, “shpifjet nuk janë të lejueshme. Lajmet e rreme dhe dezinformimi janë një betejë e rëndësishme me të cilën duhet të bëhemi bashkë për t’u përballur”.
“Dhe mos harroni asnjëherë zonja dhe zotërinj deputetë, jemi këtu për të përfaqësuar interesin publik. Jemi këtu për të përfaqësuar interesin e shqiptarëve, jo interesin e një elementi kriminal për të cilin ju jap të njëjtën përgjigje që ju kam dhënë në kërkesën tuaj për një Komision Hetimor parlamentar në interes të këtij elementi kriminal, për të cilin, meqenëse jemi në stinën e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe në stinën e Komisionit të Venecias, Gjykata Kushtetuese i ka dhënë kësaj shumice të drejtë për refuzimin e një komisioni hetimor parlamentar në interes të një elementi kriminal”, u shpreh Balla.

