Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paraqitur programin e Partisë Demokratike për zhvillimin e bujqësisë dhe mbështetje për fermerët shqiptarë.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, ai theksoi se bujqësia në Shqipëri ka pasur një rënie të madhe gjatë 12 viteve të fundit, me një rënie dramatike të prodhimit bujqësor dhe blegtoral, si dhe me një ulje drastike të numrit të krerëve të bagëtive.
Berisha e konsideron “Ballkanin e Hapur” një proces që po dëmton rëndë bujqësinë shqiptare dhe premton daljen e menjëhershme nga ky mekanizëm, duke e quajtur si shkakun kryesor të falimentimit të fermave në Shqipëri. Ai shtoi se ky “programi ynë për Shqipërinë Madhështore në bujqësi bazohet në Made in Albania, rritjen e madhe të prodhimit bujqësor dhe blegtoral, mbështetjen e fuqishme për fermerët dhe suksesin e tyre”.
“TVSH-ja në sektorin e përpunimit të prodhimeve bujqësore do jetë e njëjtë në shitje dhe blerje, kështu që paratë do shkojnë direkt tek fermeri dhe jo tek grosisti. Nafta do të subvencionohet gjer në nivelin e kostos. Mbështetje të veçanta pa kufizim për fermerët në fushat prioritare të bujqësisë, të përcaktuara nga qeveria, fushat e eksportit, fusha e blegtorisë, pemëtarisë dhe agro-përpunimit. Subvencionim i normave të interesit deri në masën 80 përqind për kreditë bankare në fushën e bujqësisë. Kjo ndërhyrje është emergjente për rritjen e injektimit të parave në këtë sektor”, tha Berisha.
Ai tha se do ketë “mbështetje me grante dhe kredi të buta fermerëve dhe agropërpunuese për futjen e teknologjive të reja në prodhim dhe përpunimin e produkteve bujqësore, automatizimin, dixhitalizimin, blerjen e traktorëve dhe pajisjeve të tjera. Kompensim financiar me çmim dysheme për stokun e prodhimit të shkaktuar nga çrregullime të forta të tregut dhe incentivim në ngritjen e industrisë agroushqimore për absorbimin e këtij stoku dhe shmangien e asgjësimit të këtyre produkteve. Kjo si mënyrë efektive për të shmangur falimentimin e fermerëve dhe braktisjen e zonave rurale”.
“Garantim dhe monitorim të cilësisë së imputeve bujqësore nëpërmjet laboratorëve të akredituara. Rritje e sigurisë ushqimore nëpërmjet fuqizimit të institucioneve përgjegjëse, futjes së sistemeve mbikëqyrëse sipas standardeve të BE, rishikim në themel i kuadrit ligjor për abuzuesit e tregut që dëmtojnë shëndetin e konsumatorit. Rritje e kapaciteteve laboratorike shtetërore me qëllim eliminimin e praktikave abuzive të kryerje së analizave nga laboratorët privatë.
Ngritja e infrastrukturës për kryerjen e kontrolleve zyrtareve në pikat e inspektimit kufitar pasi aktualisht mungesa e ambienteve karantinore dhe frigoriferike kompromentojnë drejtpërdrejt sigurinë e produkteve ushqimore të importuara”, tha Berisha.
Në përfundim, Berisha tha se ky program ka për qëllim të mundësojë zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe të sigurojë suksesin e fermerëve shqiptarë. Ai kritikoi qeverinë për shpenzimin e pakët të buxhetit për këtë sektor dhe premtoi se një qeveri e udhëhequr nga Partia Demokratike do t’i drejtojë më shumë resurse në mbështetje të bujqësisë dhe fermerëve shqiptarë.