Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u premtoi sot pensionistëve shqiptarë se të gjitha padrejtësitë ligjore në përllogaritjen e pensioneve të tyre do të marrin fund brenda tre muajve të parë të qeverisjes së PD-së.
“Qytetarët duhet ta dinë se në ligjet për pensionet ka absurditete, ka mohime kontributesh, ka arbitraritete. Ta zëmë, në ligjin e kohës, punëtori në kooperativë fillonte punën në moshën 14-vjeçare, kurse në ndërmarrjen shtetërore, në moshën 15-vjeçare. Qeveria ka shpallur si vit të fillimit të punës moshën 18-vjeçare, duke u mohuar në këtë mënyrë 3 dhe 4 vite, qindra e mijëra pensionistëve”, tha Berisha.
Gjatë një konference që zhvilloi sot me gazetarët, Berisha tha se gjatë takimit me pensionistët, “ata vlerësuan realisht programin e PD për vendosjen e minimumit jetik 200 euro që është interesi më i madh i mbi 520 mijë pensionistëve, të cilët marrin që të gjithë nën 200 euro”.
“Vlerësuan kartën e konsumatorit, edhe ajo si lehtësim real”, shtoi Berisha.
“Pensionistët kërkojnë jo udhëtim falas, por me gjysmë çmimi, dhe unë u premtoj atyre udhëtim me gjysmë çmimi në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Berisha.
“Është bërë e paimagjinueshme, sot me linjat ajrore shkon më lirë Tiranë-Berlin se sa Tiranë-Vlorë me autobus apo me taksi. Pensionistët me letërnjoftimin që dëshmon moshën, do të kenë bileta të përgjysmuara”, tha kryedemokrati.
Sipas Berishës, “Shoqata e Pensionistëve raportoi se në rast se qeveria që po ikën, do të kishte ndjekur trendin e qeverisë së mëparshme në rritjen e pensioneve, sot pensioni mesatar do të ishte 210 euro”.