Tiranë, 27 tetor, argument.mk/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se qeveria po rrit barrën fiskale për bizneset shqiptare.
Në një videomesazh nga selia e Partisë Demokratike, Berisha deklaroi se paketa e paralajmëruar parashikon rritjen e taksës mbi dividentin nga 8% në 15%, tatimfitimin nga 15% në 17% dhe uljen e pragut të TVSH-së nga 10 në 5 milionë lekë.
“Me një fjalë, e vërteta është se do të çojnë drejt falimentimit me qindra e mijëra biznese dhe po kështu shkatërrimin e qindra mijëra vendeve të punës. Për rrjedhojë po kaq janë zhvlerësuar eksportet e vendit, prodhimi industrial ka rënë me 15.3%, eksportet kanë rënë me 28%”, tha ai.
Sipas tij, këto masa do të ndikojnë edhe në rritjen e çmimeve për qytetarët.
“Kjo rritje taksash shënon një falimentim të mëtejshëm, por dhe rritje të mëtejshme të çmimeve për shqiptarët”, theksoi ai.
Berisha premtoi se kur PD të vijë në pushtet, do ta anulojë paketën dhe do të vendosë taksën e sheshtë 10%, do të rrisë pragun e TVSH-së në 15 milionë lekë dhe do ta ulë TVSH-në për ushqimet dhe mallrat bazë në 6%.

