Shkup, 18 nëntor, argument.mk/ – Maqedonia e Veriut po ndërton infrastrukturë të re energjetike, po hap drejtime alternative të furnizimit dhe po forcon qëndrueshmërinë e infrastrukturës kritike. Këto procese janë pjesë e qasjes strategjike drejt sigurisë më të madhe energjetike, të cilën ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve Minerale, Sanja Bozhinovska, e prezantoi në diskutimin e parë në panel, në kuadër të takimit të shtatë të Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik në Energjetikë (P-TEC), në Varshavë.
Në panelin me temë „Forcimi i sigurisë energjetike evropiane: qëndrueshmëria e infrastrukturës kritike dhe diversifikimi i furnizimit“, Bozhinovska theksoi se bashkëpunimi rajonal është prioriteti kryesor, pasi asnjë vend nuk mund të sigurojë siguri energjetike afatgjatë i izoluar nga tregjet rajonale dhe lidhjet infrastrukturore.
„Për tri dekada kishim vetëm një burim për furnizimin me gaz natyror – përmes Bullgarisë. Megjithatë, monopoli nuk është zgjidhje e mirë, veçanërisht për një vend pa dalje në det. Prandaj vendosëm të sigurojmë alternativa“, theksoi Bozhinovska.
Ministrja theksoi se ndërtimi i interkonektorit të gazit me Greqinë pritet të përfundojë në qershor të vitit të ardhshëm, ndërsa gazsjellësi është përgatitur edhe për transportin e hidrogjenit. Paralelisht po punohet për lidhjen e gazit me Serbinë, me çka vendi do të fitojë mundësi të reja për qasje në tregjet rajonale dhe burime shtesë të furnizimit.
Në pjesën e energjetikës elektrike, Bozhinovska informoi se po ndërmerren aktivitete për lidhje me Shqipërinë, ndërsa si hap të rëndësishëm në diversifikim e theksoi edhe rivënien në funksion të produktpërçuesit për transportin e derivateve të naftës me Greqinë, i cili, pas 12 vitesh pasiviteti, filloi të punojë këtë vit.
Duke folur për qëndrueshmërinë e infrastrukturës kritike energjetike, ministrja theksoi se sfidat e reja të sigurisë, duke përfshirë edhe sulmet kibernetike dhe kërcënimet nga dronët, kërkojnë një qasje tjetër në planifikimin dhe menaxhimin e sistemeve energjetike.
„Janë shtetet ato që duhet t’i krijojnë politikat dhe legjislacionin, në mënyrë që sektori privat të mund t’i zbatojë ato. Por, nevojitet një bashkëpunim i madh. Duhet t’i dëgjojmë investitorët dhe, njëkohësisht, ta mbrojmë infrastrukturën kritike“, theksoi Bozhinovska.
Theks i veçantë në diskutim iu kushtua sfidave në zinxhirët e furnizimit dhe afateve të gjata për prokurimin e pajisjeve kyçe energjetike. Bozhinovska theksoi se një investitor i interesuar për ndërtimin e një turbine me gaz e kishte marrë termin e parë të disponueshëm për dorëzim vetëm në vitin 2032, gjë që tregon seriozitetin e sfidës me të cilën përballen projektet energjetike.
Ajo theksoi se investimet e reja duhet që, që në fazën e planifikimit, të marrin parasysh ndryshimet teknologjike, nevojën për sisteme rezervë dhe rreziqet e reja, veçanërisht në kushtet e zhvillimit të shpejtë të inteligjencës artificiale, qendrave të të dhënave dhe teknologjive të reja energjetike.
„Ajo që ndodhi në Ukrainë dhe zhvillimet e fundit gjeopolitike janë një mësim i rëndësishëm. Sot duhet të mendojmë për zgjidhje rezervë, teknologji dhe bashkëpunim më të madh rajonal. Infrastruktura energjetike po ndryshon dhe po bëhet gjithnjë e më e varur nga teknologjia“, theksoi ministrja.
Sa i përket mbrojtjes aktive të infrastrukturës energjetike dhe rolit të NATO-s, Bozhinovska vlerësoi se, me rritjen e kërcënimeve nga dronët dhe sulmet kibernetike, mekanizmat për konsultime dhe koordinim në kuadër të Aleancës do të fitojnë gjithnjë e më shumë rëndësi.
Në diskutimin në panel morën pjesë edhe ministri i Energjetikës i Lituanisë, Lukas Savickas, Pjer Beshelani, përfaqësues i kompanisë Fluor, dhe Roxher Martela nga GE Vernova. Diskutimin e moderoi Benjamin Shmit nga Universiteti i Pensilvanisë.
Takimi i shtatë i P-TEC në Varshavë bashkon përfaqësues qeveritarë, institucione ndërkombëtare dhe liderë të sektorit energjetik nga Evropa dhe SHBA-ja, me fokus në sigurinë energjetike, infrastrukturën strategjike, diversifikimin e furnizimit dhe bashkëpunimin transatlantik në fushën e energjetikës.

