Shkup, 18 nëntor, argument.mk/ – Deputetja e Levicës, Jovana Moj soska, në seancën e sotme parlamentare për pyetje të deputetëve, i drejtoi një pyetje zëvendëskryeministrit Aleksandar Nikoloski lidhur me vazhdimin e funksionimit të platformës shtetërore të lojërave të fatit online “Megavin”, kontratat skandaloze me kompaninë bullgare MDD SOFT dhe veprimtarinë e dyshimtë të Lotarisë Shtetërore nën drejtimin e drejtorit aktual Aleksandar Klimovski.
Mojsoska rikujtoi se në shtator të vitit 2024, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti kishte paralajmëruar shfuqizimin e “Megavinit”, duke akuzuar pushtetin e mëparshëm për krijimin e një partneriteti kriminal me mafian bullgare të bixhozit. Por, dy vjet më vonë, platforma, siç shtoi ajo, vazhdon ende të funksionojë, ndërsa Ligji i ri për lojërat e fatit është shtyrë deri në vitin 2028. Me këtë, sipas vlerësimit të saj, Qeveria po i lë edhe dy vjet hapësirë shtesë biznesit të bixhozit që të përfitojë nga një veprimtari që shkatërron familje të tëra dhe rrezikon të ardhmen e të rinjve.
“Veçanërisht indikative është fakti se kontrata për ‘Megavin’, e lidhur në vitin 2023 nga drejtori i atëhershëm Perparim Bajrami me kompaninë bullgare MDD SOFT, të përfaqësuar nga Denço Dimitrov Ganev, në vend që të ndërpritet dhe të rishqyrtohet, merr vazhdim edhe nën pushtetin e ri”.
Moj soska theksoi se Ganev lidhet me marrëdhënie biznesi me manjatën bullgar të bixhozit, Vasil Bozhkov, kundër të cilit në Bullgari janë zhvilluar hetime dhe procedura për një sërë veprash të rënda penale. Ajo konstatoi se, pavarësisht akuzave të mëparshme të VMRO-DPMNE-së për këtë kontratë, drejtori aktual Aleksandar Klimovski, më 13 qershor 2025, lidh aneks me të njëjtën kompani.
“Në vend që ta rishqyrtojë kontratën e Perparim Bajramit dhe ta shfuqizojë platformën ‘Megavin’, ashtu siç kishte paralajmëruar Qeveria juaj, drejtori i Lotarisë nga radhët e VMRO-së nënshkruan aneks të kontratës me të njëjtën kompani, të përfaqësuar nga partneri afarist i njërit prej mafiozëve më të mëdhenj bullgarë të bixhozit!” – theksoi Moj soska.
Përveç skandalit me “Megavin”, Moj soska ngriti edhe çështje lidhur me shpenzimin jotransparent të mjeteve publike nga ana e Lotarisë Shtetërore për festimin e 35-vjetorit të pavarësisë.
Publiku, shtoi ajo, ende nuk ka qasje në pagesat individuale ndaj personave dhe kompanive të angazhuara, ndërsa mbeten pa përgjigje pyetjet për ligjshmërinë e kontratave dhe procedurave përmes të cilave janë ndarë mjetet publike.
Sipas saj, ndër rastet e kontestuara janë pagesa prej 45.000 eurosh për një projekt për shikimin e futbollit, të realizuar nga një ish-këshilltar i VMRO-DPMNE-së në Komunën e Aerodromit; kontrata me “Avalon Production”, e bazuar në një ofertë prej 100 faqesh, e cila është shqyrtuar brenda një dite; si dhe konflikti i mundshëm i interesit te kryetari i komisionit që e kishte miratuar ofertën, i cili më pas shfaqet edhe si autor në programin e festimit.
Për më tepër, ajo vlerëson se mbeten të hapura edhe çështjet lidhur me honorarin prej 140.000 eurosh që Klimovski e kishte marrë nga “Casinos Austria”, i cili, sipas pretendimeve të Moj soskës, nuk ishte deklaruar në formularin e tij të pasurisë, si dhe për pagesat e dyshimta përmes sistemit “Megavin”.
Këtu përfshihet edhe rasti i përdoruesit me pseudonimin “Nostradamus”, i cili, sipas pretendimeve, brenda një dite kishte realizuar 178 fitore në pokerin online dhe kishte fituar 10 milionë euro.
Mojsoska i bëri thirrje Nikoloskit të deklarohet nëse VMRO-DPMNE do të kërkojë shkarkimin e drejtorit Aleksandar Klimovski dhe mbylljen e platformës “Megavin”, apo, siç vlerësoi ajo, do të vazhdojë t’i mbrojë kontratat me kompaninë bullgare, të cilat vetë partia i shpallte kriminale kur ishte në opozitë.
“Lotaria Shtetërore nuk është kompani private e Aleksandar Klimovskit, por shoqëri aksionare në të cilën shteti ka pjesëmarrje. Mjetet e saj nuk duhet të shërbejnë për interesa partiake, marrëveshje të dyshimta biznesi dhe përfitime të industrisë së bixhozit në kurriz të qytetarëve”.

