Klubi bullgar CSKA Sofia i ka ofruar një kontratë të re mbrojtësit të Kosovës, Lumbardh Dellova, i cili shkëlqeu në sezonin e parë.
Trajneri i ekipit, Dusan Kerkez, ka konfirmuar për “football24.bg” se klubi është në bisedime me qendërmbrojtësin për rinovimin e kontratës dhe pret një përgjigje pozitive.
“Klubi po negocion me Dellovën dhe mendoj se gjithçka do të shkojë mirë dhe ai do të nënshkruajë kontratë të re”, ka deklaruar Kerkez.
Dellova, 26 vjeç, iu bashkua CSKA Sofjes verën e kaluar nga kampioni kosovar Ballkani dhe ka kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2027.
Klubet turke, Kayserispor dhe Rizespor, kanë qenë të interesuar për lojtarin.
Ai ka zhvilluar 36 paraqitje në të gjitha garat me klubin bullgar, duke realizuar dy gola dhe dhënë dy asistime. Me fanellën e Kosovës, Dellova ka shënuar gjithashtu dy gola në 15 ndeshje.