Shkup, 24 qershor, Zhurnal.mk – Mbyllja e Repartit të Imunologjisë në Klinikën Universitare për Sëmundje të Fëmijëve në Shkup ka nxitur reagime në opinionin publik dhe në mesin e profesionistëve shëndetësorë. Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar mjeku Bekim Tateshi, i cili vlerëson se sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut ndodhet në një gjendje të rëndë dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
Sipas Tateshit, situata aktuale nuk është krijuar brenda natës, por është rezultat i politikave të gabuara të ndjekura ndër vite, mungesës së reformave të mirëfillta dhe përdorimit të sistemit shëndetësor për qëllime populiste.
Ai thekson se mbyllja e repartit nuk është një rast i izoluar, por një tregues i problemeve të shumta me të cilat përballet sistemi shëndetësor.
“Nuk është vetëm ky repart. Ka edhe shumë probleme të tjera që ende nuk kanë dalë në sipërfaqe”, vlerëson Tateshi në reagimin e tij.
Në deklaratën e tij, ai ka shprehur mbështetje për drejtorin e Klinikës Universitare për Sëmundje të Fëmijëve, dr. Rexhepi, për të cilin thotë se e njeh prej kohësh si një profesionist të përkushtuar dhe me integritet.
Sipas Tateshit, drejtori aktual ka marrë përsipër një detyrë jashtëzakonisht të vështirë, duke u përballur me një sistem që, sipas tij, ka qenë në krizë prej vitesh.
Ai i bëri thirrje Qeverisë që urgjentisht të organizojë një tryezë me profesionistët dhe ekspertët e shëndetësisë për të diskutuar gjendjen dhe për të gjetur zgjidhje konkrete.
Tateshi kërkon që të ndërmerren masa të menjëhershme për stabilizimin e sistemit, duke theksuar se nëse aktualisht nuk është e mundur të rihapen repartet e mbyllura, të paktën duhet të parandalohet mbyllja e reparteve të tjera.
Në fund të reagimit, ai thekson se shëndetësia nuk ka më kohë për improvizime dhe se qytetarët, por edhe punonjësit shëndetësorë, meritojnë zgjidhje konkrete dhe jo arsyetime.
Ndërkohë, themeluesi i Agjencisë Zhurnal, Bexhet Musliu ka drejtuar kritika të ashpra ndaj ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, duke e konsideruar atë përgjegjës politik për gjendjen në sistemin shëndetësor.
Në një seri reagimesh publike dhe shkrimesh editoriale, Musliu ka renditur si dështime mbylljen e Repartit të Imunologjisë, vonesat në projektin e Qendrës së re Klinike, problemet me funksionimin e institucioneve shëndetësore, mungesën e zgjidhjeve për punonjësit shëndetësorë dhe çështje të tjera që, sipas tij, kanë thelluar krizën në shëndetësi.
Duke iu referuar këtyre zhvillimeve, Musliu ka kërkuar dorëheqjen e ministrit Azir Aliu, duke vlerësuar se përgjegjësia politike për gjendjen aktuale duhet të bartet nga drejtuesi i resorit.

