Shkup, 23 qershor, Zhurnal.mk – Gjatë dy ditëve të fundit në Shkup po mbahet Konferenca e 16-të Vjetore e Kryetarëve të Gjykatave Supreme nga Evropa Qendrore dhe Lindore. Fatkeqësisht edhe njëherë u konstatua se besimi i qytetarëve në gjyqësor nuk është në nivelin e dëshiruar. Besimi në sistemin gjyqësor nuk ndërtohet brenda natës, por duhet shumë kohë, mund dhe drejtësi që qytetarët të fillojnë të ndjehen të sigurtë. Mbi të gjitha, politika nuk duhet të ketë qasje në gjyqësor, shkruan “Zhurnal.mk”.
Kur populli nuk iu beson gjykatave!
Besimi i publikut në sistemin gjyqësor dhe ligjor në Maqedoninë e Veriut është kritikisht i ulët. Shumica e anketave dhe studimeve tregojnë se vetëm rreth 4% deri në 25% e popullsisë shpreh besim te gjykatat dhe gjyqtarët. Shkaqet kryesore që ndikojnë në këtë besim të ulët përfshijnë ndikimin politik dhe korrupsionin.
Studimet theksojnë vazhdimisht se shumica e qytetarëve besojnë që gjyqësori nuk është i pavarur. Sipas tyre, ai mbetet i ndikuar rëndë nga partitë politike dhe zyrtarët qeveritarë. Raportet e organizatave monitoruese tregojnë se një pjesë e madhe e publikut beson se korrupsioni është i përhapur gjerësisht midis gjyqtarëve.
Raporti i Komisionit Evropian për Sundimin e Ligjit vëren se pavarësia e perceptuar e gjyqësorit mbetet shumë e ulët. Raporti përmend drejtësinë selektive dhe presionet mbi gjyqësorin si fusha të shqetësimit të madh.
Procedurat e ndërlikuara, proceset gjyqësore të zgjatura dhe mungesa e arsyetimeve të qarta ligjore në vendime kontribuojnë gjithashtu në rritjen e zhgënjimit të publikut, shkruan “Zhurnal.mk”.
Çdo përpjekje për të politizuar gjyqësorin është një rrezik për rendin demokratik
Instanca më e lartë gjyqësore, kur është e pavarur, gëzon besimin më të madh publik dhe kjo është provë e sundimit të ligjit. Çdo përpjekje për të politizuar Gjykatën Supreme dhe të gjithë sistemin gjyqësor është një rrezik, jo vetëm për pavarësinë gjyqësore, por edhe për rendin demokratik.
Pavarësia e gjyqësorit, besimi i qytetarëve dhe nevoja për komunikim më të mirë midis gjyqtarëve dhe publikut duhet të jenë në fokus të qeverisë.
Kur gjykatat përmbushin me sukses rolin e tyre të zbatimit të njëtrajtshëm të ligjeve, atëherë rritet besimi në gjyqësor. Vendimet e gjykatave kanë një ndikim të fortë në punën e gjykatave të shkallës së ulët, por edhe në forcën e demokracisë.
Nëse i referohemi besimit në gjyqësor, fatkeqësisht kjo nuk është në nivelin e dëshiruar dhe se nevojitet punë e vazhdueshme për ta rivendosur atë në nivelin e kënaqshëm.
Realisht, objektivisht dhe autokritikisht, besimi i qytetarëve në gjyqësor nuk është në nivelin e dëshiruar. Prandaj insitutucionet përgjegjëse duhet të punojnë vazhdimisht që përmes procedurave efikase, zbatimit të vazhdueshëm të ligjeve dhe veprimeve të shpejta, të përmirësohet dhe të rivendoset besimi. Besimi nuk ndërtohet brenda natës, duhet shumë kohë për t’u ndërtuar, por ai mund të humbasë shumë shpejt nëse nuk punohet më mënyrë profesionale, shkruan, ”Zhurnal.mk”.
Pavarësia e gjyqësorit nuk është privilegj i gjyqtarëve, por është e drejtë e qytetarëve
Në botë nuk ka sisteme të përsosura në gjyqësor, por ka praktika të mira, mësime të nxjerra që mund t’i bëjnë mirë sistemit tonë të drejtësisë. Detyra e qeverisë është të krijojmë kushte në të cilat gjyqtarët mund të vendosin lirisht, por në të njëjtën kohë me një ndjenjë të lartë përgjegjësie ndaj qytetarëve dhe interesit publik.
Në kohë ndryshimesh të shpejta, legjitimiteti i gjyqësorit mbetet i pandryshuar, duke rrjedhur jo vetëm nga fuqitë kushtetuese, por, mbi të gjitha, nga besimi që qytetarët kanë në ekspertizën dhe pavarësinë e tij. Kjo është arsyeja pse është detyrimi i të gjithë juristëve ta mbrojnë atë.
Thelbësore për mbijetesën e institucioneve siç është gjyqësori është edhe fakti se duhet mbështetje publike, e cila nëse nuk ekziston, atëherë me kalimin e kohës, pavarësia gjyqësore dhe institucionet demokratike minohen, shkruan “Zhurnal.mk”.

