Shkup, 27 gusht, argument.mk/ – Prokurori Faton Azizi nga Shkupi është njëri prej kandidatëve për drejtues të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PNKOK), institucion që aktualisht drejtohet nga Islam Abazi, mandati i të cilit përfundon pas dy muajsh, shkruan gazeta KOHA, transmeton Zhurnal.
Azizi është pjesë e PNKOK-së dhe gjatë punës së tij ka udhëhequr disa lëndë komplekse.
Sipas informacioneve, kandidaturë për këtë pozitë kanë dorëzuar edhe prokurorët Iskra Haxhi-Vasileva, Spasenka Andonova, Vlladimir Milloshevski, Aleksandar Markovski dhe Jovan Cvetanovski.
Ndryshe, Faton Azizi ka një përvojë të gjatë arsimore dhe profesionale në fushën juridike dhe të ndjekjes penale. I diplomuar në Fakultetin Juridik në vitin 2006, në vitin 2011 ka dhënë provimin e jurisprudencës. Në vitin 2014 ka përfunduar studimet master, me punim kushtuar bashkëpunimit të Republikës së Maqedonisë me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Nga marsi i vitit 2017 deri në shtator të vitit 2019, ka ndjekur dhe përfunduar Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, duke kompletuar në këtë mënyrë përgatitjen profesionale dhe praktike për ushtrimin e funksionit të prokurorit publik, raporton KOHA.
Në nëntor të vitit 2019 është zgjedhur prokuror publik në Prokurorinë Themelore Publike Shkup, ndërkë që në mars të vitit 2024 është deleguar në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ku vazhdon angazhimin profesional në çështje komplekse që lidhen me krimin e organizuar, krimin financiar dhe korrupsionin.
Në kuadër të kësaj prokurorie, ai është pjesë e departamentit që merret me ndjekjen e korrupsionit të nivelit të lartë, ndërsa njëkohësisht është edhe pikë lidhëse ndërmjet Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Eurojust-it.
Ndër çështjet më të njohura në të cilat Azizi ka vepruar është lënda “Aditivi”, me 38 persona të akuzuar, si dhe çështja kundër kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Në përvojën e tij profesionale përfshihet gjithashtu lënda “Botox”, në të cilën procedura përfshin rreth 20 persona të dyshuar, si dhe lënda “FFM”, me rreth 30 persona të dyshuar.
Pjesë e angazhimit të tij janë edhe çështje komplekse të cilat janë kthyer në rigjykim, përfshirë lëndën që lidhet me ish-sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovski, si dhe lëndën “Lidhja Ndërkombëtare”.
Ndryshe, më 28 tetor, prokurorët do të votojnë për pasardhësin e Islam Abazit. Kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Bashkim Besimi, u ka thënë meduave se më 18 gusht e ka nënshkruar shpalljen për zgjedhjen e kreut të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe e njëjta është publikuar edhe në Gazetën Zyrtare.
Ligji aktual parashikon mandat katërvjeçar me të drejtë rizgjedhjeje. Ndërkohë, ndryshimet ligjore që kanë mbetur të bllokuara në procedurë parlamentare për shkak të mungesës së shumicës prej dy të tretash, parashikojnë mandat gjashtëvjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje, si dhe kushtin që zgjedhjet të konsiderohen të suksesshme vetëm nëse në votim marrin pjesë më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të prokurorëve publikë.

