Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nisur një bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Sociale për trajtimin dhe rehabilitimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Drejtori i përgjithshëm i Burgjeve Klevis Qose nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale shkruan se “kënaqësi që së bashku me dekanin e Fakultetit të Shkencave Sociale, prof. asoc. dr. Edvin Lame, nisim një bashkëpunim të rëndësishëm në fushën e shkencave sociale dhe zhvillimit profesional në sistemin penitenciar”.
Sipas Qoses, “ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe botës akademike, me synimin e krijimit të një ure lidhëse për shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira në fushën e trajtimit dhe rehabilitimit të të dënuarve dhe të paraburgosurve”.
Qose thekson më tej se beson fort se “përfshirja e ekspertizës akademike do të kontribuojë në rritjen e cilësisë së shërbimeve psiko-sociale në institucionet tona, por edhe në mbështetjen e zhvillimit profesional të punonjësve të sistemit penitenciar, duke krijuar hapësira për trajnime, kërkime shkencore dhe projekte të përbashkëta”.
“Bashkëpunime të tilla e ndihmojnë sistemin penitenciar të forcojë rolin e tij në procesin e rehabilitimit dhe riintegrimit”, e përmbyll Qose postimin.

