Parlamenti i Filipineve ka votuar për të shkarkuar Nënpresidenten Sara Duterte pas ankesave për korrupsion të dyshuar. Vendimi shënon një goditje të fortë për dinastinë Duderte në politikën e vendit aziatik
Kongresi i Filipineve miratoi të mërkurën një kërkesë për shkarkimin e zv presidentes Sara Duterte, vajzës së ish-presidentit të vendit, duke i hapur rrugën një gjyqi të rrallë në Senat.
23 senatorë do të shërbejnë si juri në procedurat dhe përjashtimin e saj të përjetshëm nga mbajtja e detyrës, pas akuzave për keqpërdorim të fondeve publike për përfitime personale dhe kërcënimeve me jetë ndaj kundërshtarëve.
Sekretari i Përgjithshëm i Dhomës së Përfaqësuesve Reginald Velasco gjatë seancës plenare tha se 215 nga 306 ligjvënës miratuan kërkesën për shkarkim.
Në sallën plenare shpërthyen duartrokitjet pas shpalljes zyrtare të rezultateve.
Nëse skualifikohet nga çdo post publik, ajo gjithashtu mund të përballet me akuza penale dhe civile në gjykatë.
Lëvizja kundër Sara Duterte vjen në mes të një përçarjeje të hidhur midis saj dhe Presidentit Ferdinand Marcos që është pas prishjes së një aleance të fuqishme midis familjeve të tyre që u solli një fitore dërrmuese në zgjedhjet e vitit 2022.
Mosmarrëveshja arriti një kulm dramatik kur Duterte në një konferencë shtypi në nëntor tha se kishte kontraktuar një vrasës për të vrarë Marcos, gruan e tij dhe kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Martin Romualdez dhe kushëririn e presidentit.
Më vonë pretendoi se komentet e saj ishin nxjerrë jashtë kontekstit.
Marcos, nga ana e tij, ka thënë se nuk e mbështet shkarkimin e saj, por nuk ka pushtet mbi degën legjislative.
Arsyet për shkarkimin e një zyrtari të lartë në Filipine përfshijnë shkeljen e kushtetutës, tradhtinë, ryshfetin, korrupsionin dhe krime të tjera të larta ose tradhti ndaj besimit publik.

