Aktori i njohur George Clooney u paraqit me rrënjët e flokëve të zbardhura në eventin e 78-të vjetor të Çmimeve Tony të enjten, duke treguar se po e lë të dalë ngjyra natyrale e flokëve të tij, ndërsa heq dorë nga ngjyrosja e errët që e kishte cilësuar më parë si “të tmerrshme”.
Në këtë paraqitje, aktori 64-vjeçar – shpesh i cilësuar si “ujku gri i Hollivudit” – u shfaq me kostum elegant ngjyrë gri dhe këmishë të zezë, ndërsa flokët e tij natyralë, tashmë me nuanca gri në faqe, binin në sy në eventin “Meet The Nominees” në hotelin Sofitel në New York.
Clooney mori nominimin e tij të parë ndonjëherë për Çmimin Tony si ‘Aktori më i Mirë në një Dramë’, për debutimin e tij në Broadway me shfaqjen “Good Night, and Good Luck”, shkruan DailyMail.
Edhe pse është në garë për një çmim prestigjioz, vëmendjen më të madhe në media e ka marrë për pamjen e tij të re – konkretisht për ngjyrën e flokëve dhe lëkurën me ngjyrë të portokalltë artificiale, të cilat shumë fansa i kanë cilësuar si “të sikletshme” dhe jo natyrale. Disa madje janë shprehur se kjo pamje e bën të duket “20 vjet më i vjetër”.
Në mars të këtij viti, Clooney i kishte lyer flokët me ngjyrë kafe të errët për të interpretuar gazetarin legjendar Edward R. Murrow në adaptimin skenik të filmit të tij të vitit 2005, “Good Night, and Good Luck”. Aktori ka pranuar publikisht se as bashkëshortja e tij, Amal Clooney, nuk ishte e kënaqur me këtë pamje të re.
Në rrjete sociale nuk munguan komentet ironike, ku disa përdorues shpreheshin se “dukej sikur kishte lyer flokët me një marker të zi” dhe i bënin thirrje të “e lante bojën njëherë e mirë”.
Përkundër kritikave, Clooney e ka pranuar me humor gjithë reagimin negativ ndaj ngjyrosjes së flokëve. Gjatë një ceremonie ku u nderua me portretin e tij në restorantin ikonik Sardi’s në Manhattan – një traditë e kahershme për aktorët e Broadway – ai nuk hezitoi të bëjë shaka me veten.
Pasi pa portretin ku ai paraqitej me flokët gri karakteristikë, Clooney tha me buzëqeshje: “Më pëlqen ngjyra e flokëve në këtë portret. Është shumë më e mirë se çfarë kam tani. Është gri, shumica gri… shumë më mirë kështu!
Edhe gjatë një interviste në emisionin CBS Mornings në prill, ai pranoi pa hezitim se boja e errët nuk ishte zgjidhja më e mirë.
Gazetarja Gayle King tha me shaka: “Më duhet një moment për të të parë me ato flokë të errët”.
“E di që nuk janë të mirë!”, ndërhyri Clooney mes të qeshurave. “Unë nuk thashë që nuk janë të mirë!”, u përpoq të sqaronte King.
“Jo, jo… nuk janë të mirë! Nuk jam mësuar me ta. Që kur isha 25 vjeç kam nisur të zbardhem, kështu që jam mësuar të jem gri gjithë jetën. Dhe Amal e sheh si diçka për të qeshur. Edhe fëmijët tanë qeshin me flokët e mi, sepse s’ka gjë që të bën të dukesh më i vjetër sesa të jesh 63 vjeç dhe të kesh flokë të lyer me bojë”.
Drama në të cilën Clooney luan rolin e Murrow, është vendosur në periudhën e McCarthy-t dhe është adaptim i filmit me të njëjtin emër të vitit 2005, ku Clooney ishte regjisor dhe aktor. Shfaqja nisi provat në mes të marsit dhe premiera zyrtare u mbajt në fillim të prillit, me shfaqje deri në fillim të qershorit.
Nominimi i Clooney për Aktorin më të Mirë në Rol Kryesor u shpall javën e kaluar nga fituesit e mëparshëm të Tony, Wendell Pierce dhe Sarah Paulson, gjatë një episodi të CBS Mornings.