Gjyqtari Ramon Abe u bë i pari në histori që përdori rregullin e ri të FIFA-s, duke kryqëzuar krahët para gjoksit si shenjë e aktivizimit të protokollit anti-racizëm.
Kjo ndodhi në minutën e fundit të ndeshjes së Kupës së Botës për Klube midis Real Madridit dhe Pachucas.
Real Madrid fitoi 3:1, dhe në fund të kohës shtesë, kapiteni i Pachucas, Gustavo Cabral, faulloi Antonio Rudigerin.
Pas incidentit, Rudiger reagoi verbalisht dhe i raportoi gjyqtarit se ishte fyer në mënyrë raciste nga Cabral.
Në video, shihet që Cabral e quajti dy herë “mono”, që në spanjisht do të thotë “majmun”. Abe aktivizoi protokollin e FIFA-s sipas rregullave të reja.
Protokolli parashikon tre hapa: ndalje të përkohshme të lojës, pezullim të përkohshëm të ndeshjes dhe, nëse nevojitet, ndërprerje të plotë të saj.
Meqenëse mbeteshin vetëm pak sekonda, loja vazhdoi deri në fund, ndërsa FIFA nisi procedurat disiplinore ndaj Cabral.
Pas ndeshjes, trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, deklaroi: “Racizmi nuk ka vend në futboll. Ne i besojmë Rudiger dhe e mbështesim plotësisht. FIFA tani po heton këtë rast”, tha Alonso.