Përfaqësuesi i posaçëm i presidentit kinez Xi Jinping, zëvendëspresidenti Han Zheng, u takua të dielën në Uashington me përfaqësues nga Këshilli i Biznesit ShBA-Kinë, Dhoma e Tregtisë e ShBA-së dhe anëtarë të tjerë të komunitetit amerikan të biznesit.
Han ndodhet në Uashington për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump të hënën, si përfaqësues i posaçëm i presidentit Xi, me ftesën e palës amerikane.
Duke vënë në dukje që Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë një gamë të gjerë interesash të përbashkëta dhe potencial të madh për bashkëpunim, Han tha se një pikënisje e mbarë e marrëdhënieve dypalëshe dhe ruajtja e rritjes së qëndrueshme të tyre është në të mirën e përbashkët të popujve të të dy vendeve dhe përmbush shpresat e komunitetit ndërkombëtar.
Kina do të çojë përpara në mënyrë të vendosur reformën e hapjen dhe do të vijojë të përmirësojë mjedisin e vet të biznesit, shtoi ai.
Han shprehu shpresën se kompanitë amerikane do të vazhdojnë të investojnë në Kinë, do të qëndrojnë aty dhe do të luajnë aktivisht rolin e urës, duke kontribuuar në zhvillimin e shëndetshëm, të qëndrueshëm e të vazhdueshëm të marrëdhënieve Kinë-ShBA.
Sipas përfaqësuesve të komunitetit amerikan të biznesit, si dy ekonomitë më dinamike dhe më të përparuara nga ana teknologjike në botë, ShBA-ja dhe Kina duhet të kenë një bashkëpunim me dobi të ndërsjellë dhe të punojnë për gjetjen e një mënyre konstruktive e të qëndrueshme për të bashkekzistuar.
Han u takua gjithashtu me kryezyrtarin ekzekutiv të kompanisë “Tesla” Elon Musk të dielën, duke vënë në dukje që Kina i mirëpret kompanitë amerikane, përfshirë “Tesla”-n, për të ndarë frytet e zhvillimit të Kinës dhe për të dhënë kontribut më të madh për nxitjen e marrëdhënieve ekonomike e tregtare kino-amerikane.
Musk theksoi nga ana e tij se “Tesla” është e gatshme të thellojë investimet dhe bashkëpunimin e saj me Kinën, duke luajtur një rol aktiv në nxitjen e shkëmbimeve ekonomike e tregtare ndërmjet ShBA-së dhe Kinës.
