Prishtinë, 01 tetor, argument.mk/ – Kryetari i Komisionit për Arsim dhe Shkencë, nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka lëshuar mbledhjen e këtij komisioni, pas vendimit të Grupit Parlamentar të PDK-së për të mos marrë pjesë në komisione derisa Qeveria ta procedojë në Kuvend propozimin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, raporton Ekonomia Online.
Para largimit, Hoxhaj ka ftuar subjektet politike që ta amandamentojnë ligjin për Gjykatën Speciale, ndërsa ka lënë anëtarët e tjerë të vazhdojnë mbledhjen.
“Unë nuk do të propozoj asgjë për fushëveprimin e komisionit. Kam dashur të jem fer me juve dhe konkret vetëm se i takon kushtëzimit të komisionit. Unë e lëshoj këtë mbledhje. I ftoj kolegët dhe të gjitha subjektet politike që ta amandamentojnë ligjin për gjykatën speciale. Kolegët e tjerë çfarëdo që keni prej sugjerimeve sa i takon fushëveprimit të këtij komisioni besoj që mund t’i vazhdoni”, tha ai.
Pas largimit të Hoxhajt, drejtimin e mbledhjes e mori nënkryetarja e komisionit, Arjeta Fejza, e cila tha se komisioni nuk ndodhet në rrethana normale për të funksionuar.
“Sa i përket çështjes së ligjit, tashmë ka një diskutim i cili është duke u bërë nga subjektet politike, ka një qëndrim edhe të ministrisë dhe të kryeministrit në këtë proces. Në anën tjetër, ne si komision, siç u përmend edhe nga parafolësit, kemi çështje të cilat konkretisht e afektojnë mënyrën se si do të funksionojë arsimi në dritë të tij. Andaj pajtohem që ne nuk jemi në rrethana normale për të funksionuar. Uroj që sa më shpejt të konsolidohen të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, edhe ne vërtet mund të vazhdojmë me punën tonë edhe si komision edhe si kuvend, më konkretisht si komision për arsim për të trajtuar të gjitha çështjet që bien mbi fushëveprimtarinë tonë”, tha ajo.
Pavarësisht largimit të Hoxhajt, anëtarët e pranishëm të komisionit votuan unanimisht për konstituimin dhe fushëveprimtarinë e tij.

