Shkup, 13 maj – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në kuadër të vizitës së punës në Stokholm, ka realizuar takim me ministren e çështjeve evropiane të Suedisë, Xhesika Rozenkranc. Në fokus të bisedimeve ishte procesi i integrimeve evropiane të shtetit, mbështetja nga Suedia në këtë proces, si dhe proceset e reformave në vend.
Në takim, siç bënë të ditur sot nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Mucunski ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe parimore suedeze për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, me theks të veçantë në angazhimet për anëtarësim të plotë të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Ai e theksoi përkushtimin suedez në politikën e zgjerimit si faktor kyç për integrimin e rajonit.
“Integrimi i Maqedonisë në BE dhe sfidat në atë rrugë ishin temë kryesore e bisedës. Nga ana e ministrit Mucunski edhe një herë ishte përsëritur nevoja që çështjet dypalëshe të mos përfaqësojnë pengesë për progresin, me çka ishte potencuar se procesi duhet të bazohet vetëm në sistemin e meritave dhe arritjeve. U bisedua edhe për shumë çështje aktuale me rëndësi për Unionin”, bëhet e ditur në kumtesë.
Ministrja Rozenkranc theksoi se Suedia mbetet mbështetëse e fuqishme e zgjerimit të Unionit dhe shtoi se edhe në të ardhmen do të vazhdojnë t’i mbështesin vendet partnere, si Republika e Maqedonisë së Veriut, me të cilën kanë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe. Në kontekst të mbështetjes së fuqishme për rrugën tonë të integrimeve evropiane, ajo e theksoi edhe rëndësinë e agjendës së reformave dhe Planit të rritjes.
Në kuadër të vizitës, ministri Mucunski ka realizuar edhe takim me sekretarin shtetëror për bashkëpunim ndërkombëtar zhvillimor dhe tregti të jashtme të Suedisë, Hakan Jevrel.
“Fokusi i takimit ishte promovimi i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar midis dy vendeve, mundësitë e investimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe adresimi i sfidave aktuale ekonomike. Ministri Mucunski theksoi përfitimet e investimit në Maqedoninë e Veriut, me theks të veçantë në industrinë e automobilave, mbrojtjes dhe farmaceutikës, duke i paraqitur ato si sektorë kyç me potencial serioz investimi. Ata diskutuan gjithashtu hapa specifikë që do të kontribuonin në tërheqjen e investimeve të reja suedeze, me theks në nevojën për përpjekje të përbashkëta për të nxitur bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik”, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.