Shkup, 16 nëntor, argument.mk/ – Iskra Haxhi Vasileva edhe zyrtarisht mori detyrën e drejtueses së Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) nga drejtuesi i deritanishëm, Islam Abazi, përmes dorëzim-pranimit të detyrës në Prokurori.
Pas dorëzim-pranimit, Haxhi Vasileva dhe Abazi zhvilluan një takim me Prokurorin Publik të Shtetit, Nenad Saveski.
Haxhi Vasileva u zgjodh shefe e PTHP NKOK në zgjedhjet e mbajtura më 28 tetor të këtij viti, ku fitoi 64 vota nga gjithsej 171 fletëvotime të vlefshme. Pas dhënies së deklaratës solemne, ajo theksoi se prioritetet e saj kryesore do të jenë ndjekja penale efikase, puna e qëllimshme dhe efektive e Prokurorisë, si dhe shfrytëzimi maksimal i burimeve në dispozicion në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Islam Abazi kthehet në Prokurorinë e Lartë në Gostivar.

