Shkup, 16 nëntor, argument.mk/ – Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka qëndruar sot për vizitë në Strugë, ku është takuar me kryetarin e kësaj komune, Mendi Qyra, për të diskutuar projektet që po realizohen dhe investimet e nevojshme për zhvillimin e qytetit dhe fshatrave përreth.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mexhiti ka bërë të ditur se në këtë vizitë kanë marrë pjesë edhe ministra, zëvendësministra, deputetë dhe kryetarë komunash, me të cilët janë diskutuar disa nga çështjet kryesore që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të Strugës.
Në qendër të diskutimeve kanë qenë përmirësimi i infrastrukturës, rëndësia e Korridorit 8, zhvillimi i turizmit, si dhe menaxhimi i bregut të Liqenit të Ohrit.
Mexhiti ka theksuar se realizimi i këtyre projekteve kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet pushtetit lokal dhe institucioneve qendrore, në mënyrë që investimet dhe nevojat e qytetarëve të trajtohen në mënyrë të koordinuar.
“Për t’i çuar përpara këto projekte, duhet bashkëpunim i vazhdueshëm mes komunës dhe institucioneve qendrore. Prandaj jemi në terren, për t’i parë nevojat nga afër dhe për t’i bashkërenduar punët me ata që kanë përgjegjësi për zgjidhjen e tyre”, ka shkruar Mexhiti.
Vizita është përqendruar në identifikimin e nevojave konkrete të Strugës dhe në koordinimin institucional për avancimin e projekteve që synojnë përmirësimin e infrastrukturës, zhvillimin e turizmit dhe krijimin e kushteve më të mira për banorët e qytetit dhe zonave përreth.argument.mk/


