Shkup, 26 prill -Një ndër punët e para që duhet të bëjë koalicioni VLEN pas ardhjes në Qeveri është ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë. Është nënçmuse edhe për vendin, edhe për shqiptarët, por edhe për Kosovën si një ndër fqinjët që i sjell profit më të madh Maqedonisë së Veriut, katër vite të mos përfundojnë dy kilometra autostradë, që në mënyrë plotësuese kanë vonuar realizimin e këtij projekti edhe ashtu të stërvonuar. Pra VLEN, si kusht për pjesëmarrje në Qeveri duhet ta vendosë ndërtimin e kësaj autostrade brenda një viti dhe ti japë fund projektit disa dekadësh për izolim infrastrukturor të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, projekt që me sukses është realizuar nga garniturat e deritanishme. Madje autostrada Shkup-Bllacë nuk duhet të jetë kushti i vetëm për pjesëmarrje të VLEN-it në Qeveri, por duhet të insistohet për ndërtim edhe të shumë rrugëve e autostradave tjera, sepse sa më shumë rrugë që ndërtojmë, aq më pak rini ikë nga vendi dhe anasjelltas, aq më tepër rinia e ikur kthehet në vendlindje. Në çdo vend normal, ndërtimi i rrugëve është pjesë normale e programeve qeveritare, por te ne duhet të vendoset si kusht, shkaku i strategjive të mbetura serbe dhe jugosllave që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të mos lidhen me trojet tjera dhe në këtë mënyrë të jenë më pak të rezistueshëm ndaj dukurive të asimilimit dhe migrimit, shkruan Zhurnal.
Si kusht tjetër, jo më pak i rëndësishëm, nga VLEN duhet të parashtrohet kushti për një luftë të koordinuar kundër krimit dhe korrupsionit. Duhet të na gëzojnë informacionet se prej tani janë përgatitur listat e politikanëve të korruptuar, por edhe të disa kriminelëve, të cilët në tre muajtë e parë të qeverisjes do të gjenden pas grilave dhe do tu jepet rasti që në procese transparente gjyqësore të mbrohen nga dyshimet dhe akuzat. Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë një pikë shumë e rëndësishme e qeverisjes së pas 8 majit, sepse në të kundërtën strukturat e korruptuara do të inicojnë dhe zhvillojnë një luftë hibride, duke mos kursyer as situatën e sigurisë në vend, vetëm e vetëm që të mbrojnë vetveten nga përgjegjësia. Andaj kjo luftë duhet të jetë e kujdesshme, e qetë dhe e bazuar në dëshmi e argument, që të japë porosi edhe për funksionarët e qeverisë së re se nëse gabojnë një ditë do të japin përgjegjësi.
Pikë tjetër mjaft e rëndësishme është përmirësimi dhe avancimi i pozitës së administratorëve shqiptarë në institucionet e shtetit. Është kusht i rëndësishëm sepse tangon rreth 25 mijë shqiptarë dhe familjet e tyre. VLEN si kusht për pjesëmarrje në Qeveri duhet ta përmendë taksativisht se në afat prej 6 muajëve nuk do të mbetet asnjë administrator me status fillestari, apo siç njihen tashmë në gjuhën maqedonase, me status të “pomllad sorabotnikit”. Për fat të keq, këtë status ende e kanë edhe shumë shqiptarë që po i afrohen moshës së pensionit, e si pasojë mu e këtij statusi, vështirë i mbulojnë edhe shpenzimet për të shkuar e për tu kthyer nga puna, e jo më diçka më tepër. Kuptohet se kërkesat dhe kushtet e tilla nuk mund të vendosen në baza etnike, por duhet të përfshijnë avancimin e të gjithëve, pa marë prasysh përkatësinë, shkruan Zhurnal. Partneri shqiptar duhet at potencojë këtë problematike, sepse tangon më tepër administratorët e përkatësisë shqiptare.
Këto janë pikat bazë ku duhet të vendosë theksin VLEN si pjesë e qeverisë së ardhshme, por ka edhe shumë gjëra tjera të rëndësishme nga sfera e ekonomisë, sundimit të së drejtës, gjyqësorit e sferave të ndryshme, që me vite e dekada presin reforma, por assesi të ndodhin.
A do ia del VLEN t’i realizojë këto synime? Patjetër se do ia del! Në Qeveri do ketë pozicione mjaft të forta, sepse radhëve të saj do i bashkohen disa subjekte që tani janë pjesë e Frontit Evropian, e që do t’i japin fuqi edhe më të madhe përballë partnerit maqedonas të koalicionit.
Do të duhet tia dalin sepse përballë vetes do të kenë një opozitë të fortë shqiptare, e cila thuajse aspak nuk do të dobësohet nga dalja prej radhëve të saj të disa subjekteve me 2-3 deputetë, që do ta përforcojnë VLEN-in në pushtet. Çdo gabim eventual dhe dështim në realizimin e premtimeve të pë bëra para elektoratit, do të din ta shfrytëzon mjeshtri i politikbërjes shqiptare Ali Ahmeti dhe shumë lehtë do ta rikthen situatën në favorin e tij, duke e rrëzuar VLEN-in nga pushteti dhe duke e risjellur BDI-në në Qeveri. Shqiptarët moti kohë kanë nevojë për ndryshim jo vetëm të elitave në pushtet, por mbi të gjitha ndryshim pozitiv në politikbërje./Zhurnal
