Shkup, 8 korrik, Zhurnal.mk – Bullgaria pret që të hiqet monitorimi mbi zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ). Presidentja bullgare, Ilijana Jotova, pohon se Sofja i ka përmbushur kushtet për garantimin e të drejtës së shoqërimit, shkruan DW, transmeton Zhurnal.
Ndërsa çdo kërkesë e Sofjes lidhur me bullgarët në Maqedoninë e Veriut futet në kategorinë “të drejta të njeriut”, kur bëhet fjalë për regjistrimin e shoqatave të maqedonasve në Bullgari – kjo trajtohet si “kërkesë teknike”. Kjo del qartë nga përgjigjja e presidentes bullgare Ilijana Jotova, pas takimit të saj me drejtorin e përgjithshëm për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në Sekretariatin e Këshillit të Evropës, Xhanluka Esposito. Në bisedë ka marrë pjesë edhe drejtuesi i Departamentit për Ekzekutimin e Vendimeve të GJEDNJ-së, Frederik Dolt. Në njoftimin e shkurtër të kabinetit të Jotovës theksohet edhe tema e diskutimit.
“Gjatë takimit u diskutua për dialogun konstruktiv dhe angazhimin e vendit tonë në zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në grupin e lëndëve ‘OMO Ilinden kundër Bullgarisë’”, thuhet në njoftimin pas takimit të 3 korrikut.
Procesi i regjistrimit është ‘liberalizuar’
Kryeministri Hristijan Mickoski ka rikujtuar disa herë vendimet e shumta të GJEDNJ-së (minimum 14), me të cilat Bullgaria obligohet të lejojë regjistrimin e OMO Ilinden–Pirin, por deri më tani Sofja ka refuzuar ta bëjë këtë. Përgjigjja e presidentes bullgare në takimin me Espositon dhe Doltin tregon drejtimin në të cilin pritet të vazhdojnë zhvillimet.
“Bullgaria ka krijuar kushtet e nevojshme për garantimin e të drejtës së shoqërimit, duke ndërmarrë masa ligjore, institucionale dhe praktike që u lehtësojnë qytetarëve regjistrimin e shoqatave”, ka deklaruar Jotova.
Ajo është ndalur te zhvillimi i kësaj çështjeje nga viti 2006 deri sot, duke vënë në dukje “kontrollin intensiv dhe të vazhdueshëm nga Komiteti i Ministrave”, prej nga rrjedh edhe pritja që ky monitorim të përfundojë.
“Ilijana Jotova shprehu pritjen për përfundimin e afërt të monitorimit mbi zbatimin e vendimeve, duke pasur parasysh përpjekjet e vendit tonë dhe masat e realizuara për liberalizimin e procesit të regjistrimit. ‘Është e papranueshme të lidhen kërkesat teknike me interpretime politike’, deklaroi shefja e shtetit”, thuhet në njoftimin e presidencës bullgare.
Një mundësi që vjen një herë në një brez
Nëse kjo do të jetë një nga temat e diskutimit sot në Shkup, do të dihet pas takimit të paralajmëruar në mesditë dhe konferencës për shtyp (pas orës 13) të komisares evropiane për zgjerim, Marta Kos, dhe kryeministrit Hristijan Mickoski. Mesazhi me të cilin Kos vjen në Maqedoninë e Veriut është se, pas hapave të fortë reformues, duhet të bëhet progres edhe në negociatat e anëtarësimit.
“Keni treguar performancë të fortë në kuadër të agjendës reformuese. Vij në Shkup për të inkurajuar Qeverinë që të bëjë të njëjtën gjë edhe në negociatat e anëtarësimit, sepse tani kemi një mundësi që vjen një herë në një brez, për ta realizuar zgjerimin”, ka deklaruar komisarja në intervistën për MIA para vizitës në Shkup. “Tani kemi një mundësi që vjen një herë në një brez, për ta realizuar zgjerimin. Kjo vjen me zgjedhje të qarta – ata që i përmbushin obligimet e tyre, avancojnë. Këtë e shohim më së qarti në Mal të Zi dhe Shqipëri. Ata që nuk i përmbushin obligimet, mbeten prapa. Në momente të përshpejtimit, stagnimi nënkupton kthim prapa”, ka thënë Kos, duke iu përgjigjur pyetjes nëse ka parasysh ndonjë iniciativë të re për debllokimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Të pranohet realiteti – garanci nuk ka
Komisarja evropiane thekson se progresi në negociatat e anëtarësimit kërkon një element kyç: besimin mes vendeve kandidate dhe vendeve anëtare.
“Sipas përvojës sime, një besim i tillë ndërtohet kryesisht mbi dy elemente: përmbushjen e obligimeve dhe qëndrimin e vendeve kandidate ndaj BE-së dhe vendeve anëtare. Kjo fillon me marrëdhëniet e mira fqinjësore. Kur besimi i ndërsjellë rritet, procesi i anëtarësimit bëhet më i sigurt. Jam e bindur se kështu do të ishte edhe për Maqedoninë e Veriut”, vlerëson Kos.
Ajo nënvizon se deri më tani nuk ka pasur rast të dhënies së garancive për ndonjë vend kandidat.
“E vërteta është se asnjë vend kandidat nuk ka marrë ndonjëherë garanci se nuk do të shfaqet ndonjë kontest tjetër gjatë procesit të anëtarësimit, deri në momentin kur edhe vendi i fundit anëtar ta ratifikojë marrëveshjen e anëtarësimit. Kështu funksionon zgjerimi i BE-së. E rëndësishme është të pranohet ky realitet”, thekson Kos.
Sot pritet që ajo të vizitojë një konvikt studentor në Shkup të rinovuar me fonde të BE-së, të bisedojë me organizata rinore për mundësitë që ofron integrimi më i afërt me BE-në, përfshirë programet “Horizon Europe” dhe “Erasmus+”, si dhe të takohet me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe mediave, në diskutim për zbatimin e reformave kyçe të lidhura me BE-në.

