Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot live pyetjeve të adresuara në platformat sociale nga qytetarët.
I pyetur nga qytetarët lidhur me arritjet në fushën e jashtme, Rama tha se Shqipëria ka ndërtuar aleancat më të forta ndonjëherë me vendet e tjera.
Kryeministri njoftoi se, Shqipërinë do ta vizitojë për një vizitë zyrtare edhe Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer.
“Këtë vend e ndërtuam dhe po e ndërtojmë së bashku me shumë njerëz, dhe falë aleancave që kemi ndërtuar. Kemi ndërtuar aleancat më të fortat që ka pasur Shqipëria ndonjëherë, më të fortat”, u shpreh Rama.
“Kemi aleancat më të forta që ka pasur Shqipëria ndonjëherë, më të fortat. Kemi aleancat më të forta që ka pasur Shqipëria ndonjëherë qoftë në Perëndim, qoftë në Lindje, qoftë me botën demokratike perëndimore qoftë me botën arabe. Qoftë me BE, qoftë me Turqinë, qoftë me SHBA, qoftë me Emiratet e Bashkuara. Kështu që të gjithë kanë ndihmuar dhe të gjithë kanë ndikuar dhe të gjithë do të vazhdojnë të ndihmojnë. Nuk i ka pasur Shqipëria këto aleanca, i ka pasur teorike në letër”, theksoi ai.
“Vetëm të shohësh referimin që i bëhet Shqipërisë në arenën ndërkombëtare sot. Vetëm të shohësh vizitat që bëhen sa e sa krerë shtetesh kanë ardhur për herë të parë në histori në Shqipëri”, tha Rama.
“Pas një muaji do të vijë në vizitën e parë zyrtare, e ka kërkuar të vijë përpara samitit, kryeministri britanik. Asnjëherë një kryeministër britanik nuk ka ardhur për një vizitë zyrtare, ka ardhur vetëm njëherë Tony Blair për të shkuar në Kukës, kur ishte kriza, po nuk ishte vizitë bilaterale. Është hera e parë që zbret një kryeministër britanik. Hera e parë që zbriti një President i Francës, për vizitë zyrtare bilaterale. Do të vijë përsëri. Dhe ka pasur plot të tjerë që kanë ardhur për herë të parë”, tha Rama.