Mbrëmja e eliminimit për Klajdi Musabelliun në Big Brother VIP Albania ishte plot emocione, jo vetëm për largimin nga gara, por edhe për një surprizë të veçantë që e priste në studio.
Këngëtari kishte marrë vesh më herët për rikonstruksionin e shtëpisë së tij nga e ëma, kur ajo hyri në shtëpinë e BBVA për ta surprizuar. Megjithatë, ai nuk e kishte parë ende transformimin e plotë.
Pasi u eliminua dhe mbërriti në studio, Klajdit iu shfaq në ekran një klip me pamjet e shtëpisë së tij para dhe pas rikonstruksionit.
Fillimisht, ai pa kushtet e vështira ku kishte jetuar, ndërsa më pas u prezantua ndryshimi i jashtëzakonshëm i banesës së tij, të cilën fondacioni “Fundjavë Ndryshe”, i drejtuar nga Arbër Hajdari, kishte marrë përsipër ta rinovonte plotësisht.
Pamjet e shtëpisë së re prekën thellë Klajdin, i cili nuk mundi t’i mbante lotët teksa shihte rezultatet e këtij gjesti human.
Ai shprehu mirënjohje të madhe për fondacionin dhe të gjithë ata që kontribuuan në këtë surprizë të bukur, e cila do të ndryshojë jetën e tij dhe të nënës së tij.
Ky moment preku edhe të pranishmit në studio dhe publikun që e ndoqi nga ekrani, duke treguar edhe një herë fuqinë e solidaritetit dhe humanizmit. /Telegrafi/
https://www.instagram.com/bigbrotheralb_vip/?utm_source=ig_embed&ig_rid=44bc113a-7c64-4e71-a7dd-ad2a3bb298c2
