Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot pamjet nga kantieri i spitalit të ri të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku puna po vijon me ritme të shpejta.
Sipas Koçiut, çdo ditë po shkon edhe më pranë përfundimit të një prej investimeve më të rëndësishme në shëndetësi.
Ministrja Koçiu pohon se ky spital do të ketë një strukturë moderne që do të presë shërbimet e kardiokirurgjisë, kirurgjisë vaskulare dhe reanimacionit, në kushte bashkëkohore dhe me aparatura të teknologjisë më të avancuar.
“Ky spital do të ofrojë jo vetëm standardet më të larta të trajtimit, por edhe kujdesin e jashtëzakonshëm të një ekipi mjekësh profesionistë”, pohon Koçiu në një postim në rrjetet sociale.
Spitali i Kardiokirurgjisë në QSUT do të ketë një sipërfaqe ndërtimi 4000 metra katrorë, me një sipërfaqe të shtuar 500 metra katrorë. Ky spital do të ketë një kapacitet prej 80 shtretërish, 32 në secilin nga katet e shërbimeve. Punimet pritet të mbarojnë brenda muajit qershor dhe nuk bëhet fjalë vetëm për rikonstruksionin, por edhe me mobilim dhe pajisje të teknologjisë së lartë.
Godina është e organizuar në katër kate. Në katin e parë do të jenë shërbimet të cilat ofrohen për studentët dhe për stafet pedagogjike për ngritjen e kapaciteteve të tyre, si dhe logjistika teknike. Po ashtu në katin e parë do të jetë edhe shërbimi i kirurgjisë vaskulare. Në katin e tretë do të jetë blloku operator, ku nga katër salla operatore, tashmë do të jenë pesë salla operatore me kushte më optimale. Në katin e tretë kemi do të jetë edhe shërbimi intensiv, reanimacioni.