Shkup, 14 korrik – Në depot e Agjencisë për Menaxhimin e Pronave të Konfiskuara ka rreth 1800 makina të sekuestruara mbi baza të vrasjeve, transportimit të drogës apo migrantëve.
Prej sot, me ndryshimet e reja ligjore, të gjitha institucionet shtetërore mund të kërkojnë marrjen në përdorim të këtyre automjeteve dhe jo vetëm MPB dhe Ministria e Mbrojtjes siç ishte deri më tani. Me këto ndryshime edhe makinat e konfiskuara përkohësisht, mund t’u dorëzohen institucioneve, nëse merret pëlqim nga pronari ose organi që e ka konfiskuar. Në këtë rast, institucioni paguan 93 për qind të vlerës në buxhet, ndërsa 7 për qind për agjencinë.
“Nëse makina duhet që pas një periudhe të caktuar t’i kthehet pronarit, institucioni që e ka marrë makinën, apo i është dorëzuar automjeti me vendim qeverie, duhet që ato 93 për qind të vlerës të ja jep pronarit, ndërsa 7 për qind e tjera duhet t’i paguajë, Agjencia vetë pronarit. Gjatë kësaj periudhe, vetë agjencia nuk ka kushte kompetente për ruajtjen e automjeteve. Në depot tona, automjetet qëndrojnë në ambiente të hapura dhe e dini vetë se si është situata nëse një makinë qëndron me vite në një vend. Ajo makinë prishet,” tha Irena Ilievska, Drejtoreshë e Agjencisë për menaxhimin e pronave të sekuestruara.
Makinat, me aktgjykime të përfunduara mund të shiten pa pengesa, ndërsa automjetet e braktisura mbi 10 apo 20 vite, Agjencia ka të drejtë t’i shesë si hekurishte.
Sa i përket efikasitetit të reagimit institucional ndaj rekomandimeve të BE-së, për sekuestrim dhe menaxhim të pasurisë së fituar nga krimi, përfaqësuesit e institucioneve kompetente numëruan disa mangësi.
“Resurset dhe kapacitetet janë nën nivelin që e kërkojnë standardet evropiane. Nuk flasim vetëm për resurse njerëzore, por edhe për mjete IT, qasje në kadastër, informacione bankare dhe regjistra të kompanive. Pa këto mjete, ndjekja e flukseve financiare, sidomos atyre më komplekse, mbetet e përgjysmuar.“ deklaroi Sllobodan Ivanovski, Drejtor i Policisë Financiare.
Ivanovski tha se dixhitalizimi është parakushti kryesor për sekuestrim, të ndalohet puna me letër, dhe me një klik të kihet qasje te të gjitha bazat e të dhënave. /alsat.mk
