Shkup, 11 shtator – Pas sezonit veror, fëmijët filluan një epokë krejtësisht të re, një botë me fëmijë të tjerë dhe ngjyra të reja. Mirëpo, jo të gjithë po i gëzohen kopshteve, sepse një numër i konsiderueshëm i fëmijëve kanë mbetur “jashtë dyerve” të kopshtit si pasojë vendeve të pakta dhe kërkesës së madhe për regjistrim në kopshte. Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), në vitin 2023, në institucionet e përkujdesjes dhe edukimit të fëmijëve – kopshte/qendra për zhvillim të hershëm të fëmijëve janë regjistruar 37.804 fëmijë, që paraqet një rritje prej 5.2 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Këto raporte mbulojnë 117 institucione për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve, që është 3.5 për qind më shumë se viti paraprak.
Gjithashtu, nga të dhënat e fundit të ESHS-së, vetëm në vitin 2023 gjithsej kanë lindur 16.859 fëmijë. Pra, duke marrë parasysh kapacitetin e kopshteve dhe numrin e madh i fëmijëve, rezulton se shumë fëmijë rrezikojnë të mbeten në pritje. Gzime Bakiu, drejtore e kopshtit “Fidani”, deklaroi për gazetën KOHA se këtë vit, në kopshtin që menaxhon ajo, u rrit numri për 200 fëmijë, ndërsa në pritje janë edhe 50 fëmijë tjerë. “Në kopshtin ‘Fidani’ janë gjithsej 950 fëmijë. Në krahasim me vitin e kaluar, numri u rrit për 200 fëmijë, që për këtë sigurisht që kemi zgjidhje për ti sistemuar të gjithë. Momentalisht 50 fëmijë janë në pritje, mirëpo po planifikojmë hapjen e një objekti të ri. Kërkesa për regjistrim në kopshtin tonë çdo vit rritet, ndërsa detyrona jonë është të gjejmë zgjidhje për të gjithë”, theksoi Bakiu.
Nga ana tjetër, ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ditë më parë mori pjesë në fillimin e takimit të punës në të cilin morën pjesë drejtorët e kopshteve dhe punonjës nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Limani theksoi se Ministria dhe ai personalisht janë të hapur për bashkëpunim dhe u bëri thirrje drejtorëve që të jenë më proaktiv në punën e tyre.
“Dua t’ju inkurajoj që të jeni më proaktiv, qoftë në zgjerimin e kapaciteteve të kopshteve, në përmirësimin e procesit edukativo-arsimor apo në përforcimin e kompetencave të stafit profesional. Së bashku do të punojmë për zgjidhjen më të mirë të tyre. Së bashku ne mund të ofrojmë një mjedis që do të inkurajojë zhvillimin e shëndetshëm dhe të sigurt të çdo fëmije”, tha Limani. Ndër të tjera, ai në fillimin e vitit shtoi se po angazhohen për të reduktuar listat e pritjes në kopshte, sepse siç theksoi Limani, çdo fëmijë është i rëndësishëm. (koha.mk)