Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) janë realizuar kurset e karrierës, “Kursi i avancuar për lider dhe kursi i liderit luftarak”.
Kështu u bë e ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Tutje në njoftim thuhet se kursi i Avancuar për Lider, ka për qëllim zhvillimin e njohurive dhe ngritjen e aftësive profesionale të pjesëtarëve të FSK-së në funksion të udhëheqjes në nivel togu.
“Trajnimi ka përfshirë module teorike dhe praktike, të strukturuara sipas standardeve të FSK-së për zhvillimin e liderëve ushtarakë, ndërsa ‘Kursi i Liderit Luftarak’ është dizajnuar për të përgatitur liderë të rinj për role udhëheqëse në nivel skuadre. Pjesëmarrësit janë pajisur me aftësi praktike dhe njohuri taktike që i mundësojnë të operojnë me efikasitet në situata sfiduese”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu në njoftim bëhet e ditur se këto kurse kontribuojnë drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve udhëheqëse, forcimin e zinxhirit komandues dhe përmirësimin e gatishmërisë operacionale, në përputhje me standardet e FSK.
“Po ashtu, paraqesin një fazë të rëndësishme në rrugëtimin profesional të pjesëtarëve, duke shërbyer si bazë për avancim dhe zhvillim të karrierës”, thuhet ndër të tjera në njoftim.