Në Tiranë vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike të zëna pa leje nga sipërmarrje që kanë vendosur tavolina, karrige, tenda apo elementë të tjerë që pengojnë qarkullimin e këmbësorëve në trotuare.
Pas urdhrit të Kryeministrit Edi Rama për lirimin e hapësirave publike në të gjithë vendin, edhe në Tiranë po hiqen tavolinat, karriget apo tendat nga trotuaret, të cilat cenonin sigurinë dhe ecjen e qytetarëve dhe këmbësorëve.
Deputeti i Zgjedhur i PS në Tiranë Taulant Balla, njëherazi ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, i shoqëruar dhe nga deputetja e zgjedhur në Tiranë e Partisë Socialiste Olta Xhaçka inspektuan nga afër problematikat që lidhen me hapësirat e përbashkëta dhe shërbimet publike në njësinë nr.2.
Balla tha se duhen bërë njoftimet që qytetarët të marrin masat për të hequr vetë objektet që kanë vendosur në hapësirat publike.
Ai e vuri theksin edhe tek oborret e krijuara me mur nga qytetarët pranë pallateve të tyre.
Balla u shpreh se “do të dëgjojmë qytetarët cep më cep, në respekt të plotë të 19 mandateve historike në Tiranë, e të cilat duhet t’i konsiderojmë një borxh të jashtëzakonshëm për t’u shlyer, në radhë të parë duke mos shkëputur lidhjet me komunitetet, po duke dëgjuar e punuar më shumë me njerëzit e zakonshëm dhe për njerëzit e zakonshëm”.
Balla ngriti shqetësimin edhe të hedhjes së mbeturinave pa kriter jashtë koshave. Ai bëri apel që qytetarët të mbajnë pastër ambientet ku jetojnë, si dhe të gjobiten ata që nuk zbatojnë ligjin.
Xhaçka tha se në të gjithë njësinë do të futemi në lagje për të parë problematikat që kanë qytetarët në raport me hapësirat dhe investimet më prioritare në ambientet ku ata jetojnë.
Në disa qytete të vendit po zhvillohet një aksion i gjerë për lirimin e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme.