Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ka zhvilluar sot një takim me mësuesit e gjimnazit “Kristo Frashëri” në kryeqytet, me të cilët ka ndarë mendime dhe sugjerime mbi sistemin e ri të kualifikimit, i cili sipas Manastirliut sjell një vlerësim më të drejtë dhe të merituar për ta.
“Kemi rritur ndjeshëm mbështetjen financiare për mësuesit, ku përveç rritjes së pagës mesatare në 950 euro në muaj, kemi dyfishuar shpërblimin për kategoritë “Mësues i kualifikuar” dhe “Mësues specialist”, ndërsa për “Mësuesin mjeshtër” kemi një rritje prej 50%”, shprehet Manastirliu.
Për herë të parë, mësuesit do të mund të përfitojnë gradat e kualifikimit në vitin e 3-të, të 8-të dhe të 15-të të punës së tyre, përmes një sistemi që vlerëson njohuritë, përvojën dhe aftësitë e tyre profesionale.
Manastirliu është shprehur më herët, se skema e re e kualifikimit të mësuesve është një risi për arsimin parauniversitar, duke ofruar një proces më të shpejtë, më transparent dhe të bazuar në meritokraci.
“Mbi 6 mijë mësues kanë aplikuar për tri kategoritë ku më shumë se 2 mijë mësues do të testohen në Qendrën e Shërbimeve Arsimore për të fituar kategorinë e ‘Mësuesit të kualifikuar’, përmes një testimi të informatizuar, që përbën 40 pikë të vlerësimit të përgjithshëm, ndërsa 60 pikë do të vijnë nga dosja personale, trajnimet dhe projektet e mësuesve. Pjesa tjetër është e angazhuar përmes projekteve personale, orëve të hapura, duke u vlerësuar sipas ekipeve të cilësisë brenda shkollës për të përfituar dy shkallët e tjera: në vitin e 8-të, “Mësues specialist” dhe në vitin e 15-të të punës, “Mësues mjeshtër”, tha Manastirliu.
Ndërkohë ASCAP ka hartuar dhe dorëzuar pranë QSHA fondet e pyetjeve në 44 profile AML/ AMU për mësuesit që do bëhen pjesë e testimit të informatizuar. Procesi i kualifikimit do të vijojë gjatë muajve mars dhe prill, duke përfshirë testimin e informatizuar, vlerësimin e dosjeve profesionale dhe projekteve të inovacionit mësimor, duke siguruar një sistem më të drejtë dhe efikas për zhvillimin profesional të mësuesve.