Shkup, 12 gusht – Marrëveshja Kornizë e Ohrit, një nga dokumentet më të rëndësishme politike në historinë e Maqedonisë së Veriut, përkujtohet çdo vit nga institucionet shtetërore, partitë politike dhe komunitetet e ndryshme etnike, si një moment kyç i vendosjes së paqes dhe avancimit të të drejtave të qytetarëve.
Këtë vit, me rastin e 24-vjetorit të saj, qeveria do të organizojë një pritje solemne në ambientet e Klubit të Deputetëve, ku pritet të marrin pjesë elita politike, diplomatike dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Ngjarja zhvillohet nën përkujdesjen e zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti, i cili do t’u drejtohet të pranishmëve me një fjalim rasti. Kjo ditë është bërë pjesë e kalendarit politik dhe shoqëror të vendit, duke kujtuar jo vetëm fundin e konfliktit të armatosur të vitit 2001, por edhe rrugën e gjatë të ndërtimit të një shoqërie më të barabartë multietnike.
