Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbërritur në Bern, ku do të zhvillojë një vizitë shtetërore dyditore në Zvicër.
Osmani ndodhet në këtë vizitë me bashkëshortin e saj, Prindon Sadriu.
E para e shtetit ka publikuar pamje në Facebook pas arritjes Bern.
Sipas njoftimit të Presidencës, në Rezidencën zyrtare Lohn do të bëhet pritja me nderime shtetërore dhe do të mbahet një drekë pune, ku Presidentja Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, do të priten nga presidentja Keller-Sutter dhe Zotëria i Parë, Morten Keller.
“Më pas, në sheshin qendror të Bernës, Bundesplatz, do të mbahet ceremonia shtetërore e mirëseardhjes me nderime ushtarake, ku ndër të tjera Presidentja Osmani dhe Presidentja Keller-Sutter do të kenë rastin të përshëndeten edhe me qytetarë të shumtë që do të marrin pjesë në këtë moment simbolik të miqësisë ndërmjet dy vendeve. Programi i vizitës do të vazhdojë me ceremoninë shtetërore në Parlamentin e Zvicrës, ku Presidentja Osmani do të mbajë një fjalim të posaçëm para përfaqësuesve të institucioneve zvicerane. Po ashtu, gjatë qëndrimit të saj në Bernë, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime të ndara me drejtues të institucioneve federale”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se në St. Gallen, presidentja Osmani me homologen Keller-Sutter do ta vizitojnë qendrën inovative SQUARE të Universitetit të St. Gallen.
Ndërkaq në Gjenevë, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në aktivitet për trashëgiminë politike të Martti Ahtisaarit, të organizuar bashkërisht nga Fondacioni i Paqes Martti Ahtisaari, Misioni i Përhershëm i Finlandës në Gjenevë, organizata ndërkombëtare Interpeace dhe Geneva Graduate Institute.
Gjatë qëndrimit në Gjenevë, Presidentja Osmani do ta ketë një takim me mërgatën shqiptare.

