Shkup, 17 dhjetor – Aktivistë dhe shoqata civile nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi kundër abuzimit me gjelbërimin urban. Sipas tyre ka dyshim se pas të gjitha abuzimeve të urbanistikës qëndron mafia urbane. Shqetësimi më i madh i këtyre organizatave është se në Shkup po mbijnë më shpejt ndërtesa të mëdha, sesa pemë. Sipas të njëjtëve, edhe një pjesë e vogël e gjelbërimit nëse shihet në Shkup, uzurpohet nga ndërtuesit.
Ata thonë se ka dyshim se pas të gjitha abuzimeve të urbanistikës qëndron ndonjë investitor i interesuar. Sipas tyre, një ligj i ri dhe shumë më i mirë është i nevojshëm për gjelbërimin, i cili është shkatërruar masivisht për shkak të ndërtimeve të paqëndrueshme dhe çnjerëzore.
“Ky koalicion qytetar duhet të sigurojë zë më të fuqishëm dhe qasje të qytetarëve me të vetmin qëllim që ato të marrin guxim dhe të mund të lajmërojnë raste të korrupsionit në vendbanimet e tyre.”, – deklaroi udhëheqësja e projektit, Ana Petrovska.
“Patjetër që duhet të sillet ligj më i mirë për gjelbërimin, sepse tani kemi ligje të dobëta, kur u lejohet personave të caktuar të prenë drunj të cilët janë të vjetra nga 20 apo 30 vjet, e më pas dalin në sipërfaqe edhe ndërtesa.”, – theksoi profesori universitar, Zoran Shapuriq.
Ka dallim të madh në miratimet e ndërtimit në të kaluarën dhe tani, tha kryetari i komunës së Kisella Vodës, Gjorgjievski. Ai thotë se ky është një problem kolektiv që duhet ta zgjidhin të gjithë.
“Kemi ndërtuar në të kaluarën 7 parqe, me 13 qendra reakreative dhe sportive apo rreth 80 mijë metra katror pjesë gjelbëruese dhe mijëra drunj të mbjella. Por, duhet ta dimë se në fund të ditës të gjithë po e thithim këtë ajër dhe duhet ta luftojmë këtë dukuri.”, – u shpreh kryetari i komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski.
Sipas ambientalistëve nuk mjafton Parku i Qytetit, Parku i Gazi Babës dhe Vodno. Për këtë flet fakti që kemi ngjarje drastike të motit dhe valë të nxehtë, të shoqëruara me reshje të dendura shiu dhe stuhi që sjellin shkatërrime.