Prishtinë, 02 tetor, argument.mk/ – Ministria e Financave ka bërë të ditur se ka pranuar njoftimin nga Prokuroria lidhur me kallëzimin penal të bërë nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës, me pretendimin se buxheti i komunës ishte bllokuar nga Ministria.
Përmes një postimi në Facebook, Ministria ka thënë se kallëzimi penal është hedhur poshtë, duke vlerësuar se kjo dëshmon se pretendimet e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës kanë qenë të pabazuara.
“Ministria e Financave ka pranuar njoftimin nga prokuroria se është hedhur poshtë kallëzimi penal i bërë nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës me pretendimin e pabazë se Ministria e Financave kishte bllokuar buxhetin e komunës”, thuhet në njoftim.
Sipas Ministrisë, “kjo edhe njëherë e dëshmon se pretendimet e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës ishin të pavërteta, dhe se stafi i Ministrisë së Financave çdoherë vepron në përputhje me ligjin”.
Ministria ka rikujtuar se Komuna e Prishtinës kishte dorëzuar me vonesë buxhetin për vitin 2025, disa muaj pas afatit ligjor dhe pasi Ligji i Buxhetit ishte miratuar nga Kuvendi.
“Rikujtojmë për publikun se Komuna e Prishtinës ishte vonuar në dorëzimin e buxhetit të vitit 2025, duke e dorëzuar me disa muaj vonesë përtej afatit ligjor, dhe pasi Ligji i Buxhetit ishte miratuar nga Kuvendi”, thuhet në reagim.
Sipas Ministrisë së Financave, kjo vonesë kishte rezultuar në mos-përfshirjen e buxhetit komunal në Ligjin e Buxhetit, duke pamundësuar alokimin dhe shfrytëzimin e plotë të tij.
Në këtë kontekst, Ministria pretendon se udhëheqësia e Komunës së Prishtinës kishte ngritur akuza ndaj stafit të saj për bllokim të qëllimshëm të buxhetit dhe për këtë kishte dorëzuar edhe kallëzim penal.
“Ministria e Financave mirëpret epilogun e kësaj çështjeje që vërteton se akuzat ndaj stafit të Ministrisë ishin të pabaza, dhe njëkohësisht rikonfirmon përkushtimin që të vazhdojë punën profesionale”, thuhet në fund të njoftimit.

