Shkup, 12 maj – Zero tolerancë korrupsionit, pesë për qind rritje ekonomike në vit, qasje në BE dhe administratë efikase publike, është vizioni i Maqedonisë 2025 për ekonominë vendore.
Siç tha drejtoresha ekzekutive Nikica Mojsoska Blazheski në fjalimin hyrës, korrupsioni është problem më i madh në shtet, por vendi ende nuk ka konsensus se çfarë ekonomie dëshiron. Biznesmenët edhe më tutje perceptohen si përfitues, ndërsa jo si kreatorë të vendeve të punës.
“Ka progres në Maqedoni, por të tjerët rriten më shpejt se ne. Duam ekonomi të tregut, ndërsa kërkojmë intervenim të shtetit, punëtorët kërkojnë paga më të larta, por nuk flasin për përmirësim të aftësive të tyre. Është lehtë të akuzohen fqinjët, Qeveria, por të gjithë kontribuojmë për atë sa do të zhvillohet shteti. Kjo Qeveri filloi reforma të dhimbshme, besoj se sheh pak më larg se cikli i zgjedhjeve”, theksoi Mojsovska Bllazheski.
Për momentin vijon paneli i parë i Samitit në të cilin flet kryeministri Hristian Micskoski.
