Shkup, 16 nëntor, argument.mk/ – Është paraqitur kallëzim penal kundër dhunuesit nga Ohri, i cili e ka rrahur të dashurën e tij dhe i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, njoftuan sot nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“SPB Ohër ka paraqitur kallëzim penal kundër K.K. (31) nga Ohri, mbi dyshime të bazuara për kryerjen e veprës penale “lëndim i rëndë trupor”, sipas nenit 131, paragrafi 3 të Kodit Penal. Më 15 nëntor, rreth orës 02:00, pas një grindjeje paraprake që kishte filluar në shtëpinë e tij dhe kishte vazhduar në automjetin e tij, i kallëzuari në automjet e ka sulmuar fizikisht të dashurën e tij 26-vjeçare nga rrethina e Ohrit. Pasi e ka ndaluar automjetin, ka vazhduar me sulmin, me ç’rast vajza ka humbur vetëdijen dhe është rrëzuar, pas çka është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm në Ohër, e më pas edhe në spitalin “Shën Erazmo” në Ohër, ku i janë konstatuar lëndime të rënda trupore”, informojnë nga MPB-ja.
Janë ndërmarrë masa dhe menjëherë pas ngjarjes, në orën 05:05, K.K. është privuar nga liria dhe është mbajtur në stacion policor. Ndërkaq, me kërkesë të PTHP-së, Gjykata Themelore në Ohër ka marrë aktvendim dhe i ka shqiptuar masa kujdesi.
“Në lidhje me ngjarjen, më 15.11.2026, në orën 08:50, në SPB Ohër, L.K. (51) nga Ohri, nëna e K.K., ka denoncuar se L.Gj. (49), babai i vajzës, përmes telefonit celular i kishte bërë kërcënime djalit të saj K.K. dhe të gjithë familjes, pas çka ditën e njëjtë, në orën 13:20, në Ohër edhe ai është privuar nga liria dhe është mbajtur në stacion policor. Kundër tij, po ashtu, do të parashtrohet parashtresë përkatëse”, shtojnë nga MPB-ja.

