Politika shqiptare ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, duke shpërndarë mesazhe përmes të cilëve shprehin vlerësime për Atin e Shenjtë.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një mesazhi në Facebook ku e quan Papën e ndjerë “një mik të paharrueshëm të Shqipërisë”.
“Lamtumirë, At i Shenjtë, mik i madh e i paharrueshëm i Shqipërisë”, shkruan Rama.
Begaj: Do të ruaj thellë në kujtesën time takimet tona
Presidenti Bajram Begaj kujton takimet me papa Françeskut, te cilat thotë sedo t’i ruaj në kujtesë.
“Shenjtëria e tij, Papa Frençesku, sot u ngjit në qiell, pranë Atit, për të çuar në qiell atë që la trashëgimi në tokë, dhembshurinë, dashurinë dhe përkushtimin ndaj çdo njeriu, çdo besimtari e çdo feje. Do të ruaj thellë në kujtesën time takimet tona. I bashkohem lutjeve të të gjithë besimtarëve shqiptarë që shpirti i tij të prehet në paqe!”, shkruan Begaj.
Vatikani njoftoi ndarjen nga jeta të Papa Françeskut mëngjesin e kësaj të hëne (21 prill). Ai mbylli sytë përgjithnjë në moshën 88-vjeçare, në rezidencën e tij në Casa Santa Marta të Vatikanit. Papa, emri i të cilit është Jorge Mario Bergoglio, ishte diagnostikuar me pneumoni dypalëshe dhe qëndroi disa javë i shtruar në spitalin Gemelli të Romës. Vdekja e tij vjen një ditë pasi u shfaq në Sheshin e Shën Pjetrit për t’u uruar “Gëzuar Pashkët” mijëra besimtarëve.