Shkup, 12 gusht, Zhurnal.mk – Ka ndërruar jetë Beqir Mexhiti, babai i kryetarit të Komunës së Çairit dhe njërit prej drejtuesve të VLEN-it, Izet Mexhiti.
Lajmin për ndarjen nga jeta të babait të tij e ka bërë të ditur vetë Izet Mexhiti përmes një postimi në profilin e tij në Facebook.
“Baba sot e dorëzoi shpirtin tek Zoti i Madhërishëm. Me dhimbje të thellë ju njoftoj se babai ynë, Beqir Mexhiti, ndërroi jetë”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka shprehur dhimbjen e familjes për humbjen e babait, duke e përshkruar atë si një njeri që për familjen ishte mbështetje, urtësi dhe forcë.
“Sot familja jonë humbi njeriun që për ne ishte mbështetje, urtësi dhe forcë. Ndarja nga babai na la një zbrazëti të madhe në familjen tonë dhe, në këto çaste të rënda, fjalët janë të pakta për ta përshkruar dhimbjen”, ka shkruar ai.
Sipas njoftimit të Mexhitit, falja e namazit të xhenazes do të bëhet nesër, pas namazit të drekës, në Xhaminë e Çairit, ndërsa varrimi do të bëhet në varrezat e fshatit Semenisht.
Në fund të mesazhit, Mexhiti i është drejtuar të atit me një lutje: “Babë, Zoti të mëshiroftë dhe të dhëntë Xhenetin.”

