Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se këto ditë, Kosova dhe veçmas qyteti i Prishtinës po përballet me nivele të larta të ndotjes së ajrit.
IKSHPK thekson se ndotja e ajrit konsiderohet një rrezik për shëndetin e njeriut, e sidomos për grupet e ndjeshme dhe me sëmundje të rrugëve dhe organeve të frymëmarrjes.
Institut bën të ditur se efektet shëndetësore afatshkurtra të ndotjes së ajrit në shëndet: sëmundjet, shtrimet në spital, komplikimet shëndetësore dhe vdekjet, ndërkaq, efektet shëndetësore afatgjata: sëmundshmëria, kanceri i mushkërive, sëmundjet kardiovaskulare dhe pulmonare.
“Shkaqet kryesore të vdekjeve dhe sëmundjeve që lidhen me ndotjen e ajrit janë: sëmundjet ishemike të zemrës, goditja në tru, sëmundjet e frymëmarrjes, sëmundjet pulmonare obstruktive kronike, bronhiti, emfizema, irritimi i syve dhe sistemit të frymëmarrjes, veçanërisht sulmet e astmës dhe kanceri i mushkërive.
Në njoftim jepen po ashtu të dhëna, ku thuhet se 9 nga 19 njerëz thithin ajër që tejkalon kufijtë e udhëzuesit të OBSH-së lidhur me nivelet e larta të ndotësve.
“Ditët e ftohta dhe rëniet e temperaturave mund ta vështirësojnë më shumë situatën si pasojë e ngrohjes me lëndë të ndryshme djegëse të dëmshme dhe jo-kualitative që po përdorin qytetarët, trafiku dhe industria”.
IKSHPK më poshtë ka dhënë rekomandime për reduktimin e rrezikut, kur ajri ka vlera të larta të ndotjes
Të qëndrohet në shtëpi dhe mos të hapen dritaret për aerosjen e dhomave, derisa zgjasin vlerat e larta;
Personat që pashmangshëm duhet të dalin në aktivitetet e tyre jashtë shtëpisë të përdorin maska mbrojtëse, të mbulojnë gojën e hundën me shall.
Të redukohet pirja e duhanit jashtë ku ka qarkullim të njerëzve, e domosdoshmërisht të ndalohet hapësirave të mbyllura sikur e përcakton edhe vet ligji dhe në hapësira të banimit, punës, shkollave dhe spitaleve.
Grupet e popullatës së rrezikuar të tilla si me sëmundje kronike pulmonare, zemrës, pacientët astmatik dhe të prira për alergji, të moshuarit, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna rekomandohet që të kalojnë më shumë kohë në mjedise me nivele të ulëta të ndotësve, të tilla si malet dhe vendpushime të shëndetshme.

