Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla u shpreh sot, se me ndryshimet e miratuara nga Kuvendi në Kodin Zgjedhor nuk ka më asnjë pengesë sa i përket realizimit me sukses të votimit të diasporës.
Në rubrikën “Sy m’sy” të kryeministrit Edi Rama, ku bashkëbisedon me qytetarët në platformat sociale, Balla theksoi se, ndryshimet e miratuara nga Kuvendit në Kodin Zgjedhor i dhanë një zgjidhje përfundimtare pjesës që lidhen me angazhimi që u mor sa i përket mbulimit të shpenzimit nga ana e qeverisë shqiptare, siç e premtuat edhe ju në takimin që patëm në Selanik në nëntor me bashkatdhetarët.
“Pjesa tjetër lidhet me disa çështje të karakterit administrativ, pra i dhamë edhe 10 ditë kohë më shumë dërgimit të zarfit tek bashkatdhetarët dhe kthimi, pra do të ketë 60 ditë kohë në dispozicion tanimë KQZ për këtë pjesë.
Edhe disa çështje të natyrës administrative. Kështu që tani nuk ka më asnjë pengesë sa i përket realizimit me sukses të votimit të bashkatdhetarëve. Kështu që deri më 4 mars kanë kohë edhe 2 javë që të marrin pjesë, të regjistrohen”, tha Balla.
“Unë e shoh shumë pozitiv interesimin e bashkatdhetarëve. Edhe pse një pjesë thonë që “shiko se janë pak”. Nuk janë aspak pak, përkundrazi”, shtoi ai.
Balla nënvizoi se, “duhet të kuptojmë që është hera e parë dhe natyrshëm nuk qe një kohë e mjaftueshme për t’i shpjeguar procesin, sepse jo të gjithë e njohin siç duhet procesin e regjistrimit, por besoj këto dy javë do të ketë një numër të konsiderueshëm që do të vazhdojnë të regjistrohen”.
“Ka dhe një fakt që është i bukur që duhet ta themi: Numri i madh i shteteve nga të cilët shqiptarët janë regjistruar. Po t’i hidhni një sy shteteve nga të cilat janë regjistruar, pothuajse nga çdo cep i botës janë regjistruar bashkatdhetarët”, u shpreh ai.