Opozita do të mbajë aktin e radhës së të ashtuquajturës mosbindje civile, kundër qeverisë së kryeministrit Rama dhe kërkesës së saj që në zgjedhjet e ardhshme të shkohet me një kabinet teknik.
Pas incidenteve në Kuvend, djegies së karrigeve, protestës me molotov ndaj institucioneve dhe asaj me pankarta në duar në dyert e PE, akti i radhës i opozitës këtë herë është bllokimi i akseve rrugore kryesore në vend.
Në kryeqytet, protestuesit do të bllokojnë mbikalimin e Kthesës së Kamzës, në hyrje të Tiranës. Teksa do të ketë bllokime dhe në rrethrrotullimet në Milot, Shkozet, Bradashesh, Rrogozhinë dhe Levan.
Organizatorët e kësaj protestë kanë kërkuar një leje prej orës 17:00 deri në 20:00 për këtë protestë të saj, diçka që në fakt është refuzuar nga Policia e Shtetit.
“Nisur nga objekti i kërkesës së bërë për zhvillimin e tubimeve në disa akse rrugore, Policia e Shtetit iu ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve. Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni”, njofton Policia.
Ndërkohë për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit njofton se ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative, transmeton A2.
Për mbarëvajtjen e tubimit, të shpërndarë në disa qytete njëkohësisht, do të angazhohen rreth 1200 forca policore.
Kreu i demokratëve, në protestën e tij të radhës nga dritarja e shtëpisë iu kërkoi shqiptarëve të ngrihen në këmbë për të shprehur zemërimin e tyre ndaj qeverisë.
“Të dashur miq, nesër në betejën tonë drejt fitores. Në betejën tonë për përmbushjen e misionit të rikthimit të votës së lirë në Shqipëri, të ndryshimit të pushtetit dhe fitores së opozitës. Opozita shqiptare në mbarë vendin hidhet e tëra në betejë, merr Shqipërinë në duart e saj! Nesër, mbarë shqiptarët ngrihen në këmbë për të shprehur zemërimin e tyre, për të shprehur urrejtjen e pakufishme të ligjshme të njerëzve të ndershëm, të njerëzve që jetojnë me mundin dhe djersën e tyre”, u shpreh Berisha.