Shkup, 24 qershor, Zhurnal.mk – Debati mbi të ardhmen e sistemit pensional në Maqedoninë e Veriut është riaktualizuar sidomos pas deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili shprehu dyshime mbi efektet e shtyllës së dytë pensionale, skepticizmi i tij ngre dilema nëse ky model është i qëndrueshëm dhe a do të sigurojë pensione të mjaftueshme për gjeneratat e ardhshme? shkruan Zhurnal.
Pensionistët në hall
Nga njëra anë, Qeveria dhe Agjencia për Mbikëqyrjen e Sigurimit Pensional të Financuar(AMSPF) insistojnë se kthimet në fondet e kapitalizuara po rriten dhe se sistemi është i ndërtuar për mbrojtje afatgjatë. Ata theksojnë se lartësia e pensioneve varet nga kontributet individuale, vitet e punës dhe faktorë të tjerë teknikë. Në këtë kuptim, shtylla e dytë shihet si një mekanizëm që shpërndan rrezikun dhe krijon mundësi për kursime më të mëdha.
Nga ana tjetër, Mickoski artikulon një shqetësim politik dhe ekonomik ku pritjet e qytetarëve mund të mos përputhen me realitetin e llogarive të tyre. Ai sugjeron se vendi duhet të kthehet në sistem me një shtyllë, duke përmendur shembuj të vendeve si Sllovenia, Hungaria dhe Polonia. Por ky argument ngre dilema se a është krahasimi i drejtë, duke pasur parasysh se strukturat demografike dhe ekonomike të vendeve ndryshojnë ndjeshëm?
Në fakt, sistemi pensional nuk është thjesht çështje teknike apo administrative por është edhe politike edhe sociale. Rënia e popullsisë aktive dhe rritja e numrit të pensionistëve e bën çdo model të rrezikshëm. Shtylla e dytë u fut pikërisht për të balancuar këtë presion, duke e lidhur pensionin me kursimet individuale dhe investimet në tregjet financiare.
Megjithatë, problemi kryesor nuk është ekzistenca e shtyllës së dytë, por mënyra se si ajo menaxhohet. Transparenca e fondeve, diversifikimi i portofolave, mbrojtja e kursimeve nga luhatjet e tregut dhe edukimi financiar i qytetarëve janë elementët që vendosin nëse ky sistem do të japë rezultate. Ndryshimet ligjore të paralajmëruara me portofola të ndryshme sipas moshës së kontribuuesve janë hap në drejtimin e duhur, por nuk mjaftojnë pa një strategji të qartë afatgjatë.
Çfarë nënkuptojmë me shtyllën e parë, të dytë dhe të tretë?
Shtylla e parë është baza e sistemit pensional dhe funksionon mbi parimin e solidaritetit social. Pensionet financohen nga kontributet e punëtorëve aktivë dhe garancia shtetërore, duke siguruar që çdo gjeneratë të mbështesë gjeneratën e pensionistëve. Kjo shtyllë ofron siguri minimale për të gjithë, pavarësisht nga kursimet individuale, dhe është e lidhur drejtpërdrejt me buxhetin e shtetit. Për këtë arsye, ajo shihet si garancia themelore që askush të mos mbetet pa pension.
Shtylla e dytë shton fleksibilitetin dhe personalizimin e sistemit. Ajo bazohet në kursime individuale të kapitalizuara, të cilat investohen nga fondet pensionale të menaxhuara profesionalisht. Përfitimi i ardhshëm varet nga kontributet e derdhura, vitet e punës dhe performanca e investimeve. Kjo shtyllë synon të rrisë të ardhurat e pensionistëve përtej minimumit të garantuar nga shtylla e parë.
Ndërkohë, shtylla e tretë është vullnetare dhe u jep mundësi individëve të kursejnë më shumë sipas dëshirës, duke krijuar një shtresë shtesë sigurie për ata që duan standard më të lartë jetese pas pensionimit.
Prandaj, vetëm një sistem i balancuar i mbështetur në analiza demografike dhe financiare reale, mund të garantojë që pensionistët e së ardhmes të mos jenë viktima të pritjeve të rreme, por përfitues të një modeli të qëndrueshëm. /Zhurnal.mk
Duhet të jenë të shqetësuar punëtorët e përfshirë në shtyllën e dytë pensionale, pasi kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se një pjesë e madhe e përfituesve nga kjo shtyllë nuk do të jenë të kënaqur me atë që do të shohin në llogaritë e tyre dhe se dyshon në rezultatet e pritura nga reforma e sistemit pensional me të cilën u fut shtylla e dytë?
Nga Qeveria thonë se sa i përket lartësisë së pensioneve të ardhshme, të gjitha analizat dhe vlerësimet që përgatiten kanë për qëllim mbrojtjen afatgjatë të interesave të të siguruarve dhe pensionistëve, ndërsa grupe pune ndjekin vazhdimisht të gjitha trendet dhe praktikat vendore e ndërkombëtare për qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e sistemeve pensionale.
Agjencia për Mbikëqyrjen e Sigurimit Pensional të Financuar Kapitalisht (MAPAS) qetëson se kthimet në shtyllën e dytë po rriten, ndërsa shuma e pensioneve të ardhshme varet nga ajo që individët paguajnë në sistemin pensional, vitet e stazhit dhe një sërë kriteresh të tjera që ndikojnë në llogaritjen e pensionit.
Aktualisht nuk ka paralajmërim për reformë të plotë, por ka paralajmërim për ndryshime ligjore. Mickoski tha:
„Mendoj se një pjesë e madhe e përfituesve nga shtylla e dytë nuk do të jenë të kënaqur me atë që do të shohin në llogaritë e tyre. Mendoj se pritjet e tyre janë shumë më të mëdha. Jam i bindur se kur është bërë kjo reformë kanë pasur qëllime të mira, por për fat të keq mendoj se tani nuk do të japë rezultatet e pritura. Më vjen keq që nga perspektiva e sotme është hyrë fare në këtë reformë, duke pasur parasysh se një pjesë e madhe e vendeve evropiane kanë vetëm një shtyllë…“
Ai shtoi se Qeveria po mendon për reforma pensionale, por ende nuk ka asgjë të konkretizuar. Sipas tij, vendi duhet të kthehet në sistem me një shtyllë, duke marrë parasysh ekonominë që ka, duke përmendur shembujt e Sllovenisë, Hungarisë dhe Polonisë.
Nga Qeveria shtojnë se institucionet dhe komisionet e posaçme analizojnë rregullisht gjendjen, lëvizjet demografike dhe treguesit financiarë, për të propozuar masa që do të sigurojnë sistem pensional të qëndrueshëm dhe të drejtë.
Ndërkohë, në programin e Qeverisë për këtë vit janë planifikuar ndryshime në dy ligjet që lidhen me shtyllën e dytë – ligjin për sigurimin pensional të financuar kapitalisht vullnetar dhe ligjin për sigurimin pensional të financuar kapitalisht të detyrueshëm. Ndryshimet do të fokusohen në mënyrën e investimit të mjeteve të kontributeve, me parashikimin e portofolave të ndryshëm investues sipas moshës së anëtarëve, për të rritur kthimet nga investimet.
MAPAS thekson se reformat në sigurimin pensional janë të vazhdueshme, pasi çdo vend i përshtat sistemet e veta sipas strukturës demografike, sociale, ekonomike dhe financiare. Aktualisht funksionojnë grupe pune për regjistrin unik të të siguruarve, për përmirësime në sistemin pensional, për futjen e sistemit me shumë portofola dhe për mënyrat e pagesës së pensioneve.
Sipas analizave të MAPAS, mjetet në fondet e detyrueshme pensionale po rriten vazhdimisht, ndërsa kthimet e realizuara janë brenda pritjeve afatgjata për këtë lloj kursimi, krahasuar me shumë vende të BE-së dhe botës që kanë sisteme shumë-shtyllore si i yni.

