Ushtarakë të lartë nga Shqipëria, Kosova, Kroacia, Gjeorgjia, Hungaria, Italia, Turqia si dhe civilë profesionistë nga institucionet të ndryshme të sigurisë në vend përfunduan me sukses Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes që zhvillohet pranë Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë.
Në ceremoninë e përfundimit të këtij kursi dhe diplomimit të pjesëmarrësve morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjenerallejtënant, Arben Kingji, komandantë të forcave, ambasadorë, atashe ushtarakë, familjarë të kursantëve, etj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri i Mbrojtjes i uroi suksese kursantëve të sapodiplomuar dhe shprehu kënaqësinë që vit pas viti, ky kurs jo vetëm po zgjeron hartën e pjesëmarrësve, por po bëhet më praktik duke realizuar vizita studimore dhe njohëse në institucione prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Jam veçanërisht i kënaqur që KLSM nuk ka mbetur vetëm brenda auditorëve. Vizitat studimore në institucione të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit, i kanë dhënë kursit një dimension praktik dhe një qasje holistike për realitetet komplekse me të cilat përballen sigurinë ditët e sotme”, tha Vengu.
Më tej, ministri Vengu nënvizoi prioritetet e qeverisë për FA më moderne dhe ushtarakë të mirëtrajnuar dhe mirëstërvitur.
“Kolegji i Mbrojtjes dhe Sigurisë është pjesë e vizionit tonë më të gjerë për një ushtri moderne, të aftë dhe të integruar. Në kuadër të reformimit të arsimit ushtarak dhe ristrukturimit të Forcave të Armatosura, Kolegji Mbrojtjes dhe Sigurisë do të konsolidohet si institucioni kyç i edukimit profesional në çdo hallkë të hierarkisë së FA. Përfitoj nga rasti të përsëris angazhimin tonë për të thelluar bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare duke përfshirë edhe iniciativën e fundit për të lidhur Kolegjin tonë me Kolegjin Evropian të Mbrojtjes dhe Sigurisë”, u shpreh ai.
KLSM ka si qëllim aftësimin e ushtarakëve dhe civilëve të niveleve strategjike në Ministrinë e Mbrojtjes, Forcat e Armatosura dhe institucionet e tjera të sigurisë së vendit dhe atyre analoge të vendeve të tjera.
Programi i këtij kursi zgjat përreth 3 muaj, zhvillohet në gjuhën angleze dhe jep njohuri dhe trajnim analitik për probleme të Mbrojtjes dhe të Sigurisë, në nivelin kombëtar, rajonal e më gjerë.
Në Kursin e Lartë të XV të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i cili është edhe forumi më i lartë në piramidën e arsimimit në karrierën ushtarake, për herë të parë mori pjesë edhe një ushtarak nga Forcat e Armatosura të Hungarisë.

