Shkup, 23 maj – Deputetja Ivanka Vasilevska, në cilësinë e zëvendësanëtares së Delegacionit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, po merr pjesë në punimet e Komitetit të Përhershëm, që po mbahet më 23 maj në Valeta të Maltës. Takimi, në të cilin morën pjesë rreth 60 parlamentarë nga 46 vendet anëtare, shënon fillimin e kryesimit gjashtëmujor të Maltës me Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës.
Takimi u hap nga kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Teodoros Rusopulos, i ndjekur nga fjalimi i përshëndetjes i Anxhello Faruxha, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të Maltës. Eurodeputetët patën gjithashtu mundësinë të shkëmbenin qëndrime me Jan Borg, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Turizmit, i cili prezantoi prioritetet e kryesimit maltez: përmirësimin e mbrojtjes së fëmijëve dhe promovimin e interesave të tyre më të mira, pastaj luftimin e dhunës dhe diskriminimit dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, si dhe forcimin e rolit të të rinjve dhe mbrojtjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Theksoi se Malta kryeson Organizatën për herë të katërt në historinë e saj dhe këtë herë kjo po ndodh në vitin kur vendi shënon 60-vjetorin si anëtar i plotë i Këshillit të Evropës, si dhe kur shënohet 75-vjetori i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si marrëveshja e parë ndërkombëtare detyruese që përfshin të drejtat e artikuluara në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe instrument për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të mbi 700 milion njerëzve në kontinentin evropian.
Komiteti i Përhershëm miratoi mendim mbi Draft-Protokollin e Tretë Shtesë të Konventës Evropiane për Ndihmë të Ndërsjellë në Çështjet Penale, duke përditësuar marrëveshjen ekzistuese që u lejon shteteve të bashkëpunojnë në luftën kundër krimit. U debatua edhe raporti i shpenzimeve të Asamblesë Parlamentare për periudhën 2026-2027.
Takimi përfshiu edhe diskutim në tryezë të rrumbullakët mbi rolin e parlamentarëve në fuqizimin aktiv të të rinjve, i cili shqyrtoi mënyrat se si parlamentet në të gjithë Evropën mund t’i ndihmojnë të rinjtë të kenë zë më të fuqishëm në vendimet që formësojnë të ardhmen e tyre.
Para fillimit të takimit, Ivanka Vasilevska mori pjesë në punën e Grupit të Grave të Asamblesë Parlamentare të KiE-së – platformë jopolitike, ndërpartiake dhe joformale e hapur për të gjitha anëtaret e Asamblesë Parlamentare – në të cilën ishte e ftuar edhe ish-Presidentja e Maltës, Mari-Luiz Koleiro Preka, e cila ishte gjithashtu anëtare e Asamblesë Parlamentare të KiE-së nga viti 2008 deri në vitin 2013. Në takim u diskutua dhe u shkëmbyen mendime mbi përfshirjen më të madhe të të rinjve në politikë, kujdesin më të madh për fëmijët dhe barazinë më të madhe gjinore.
Komiteti i Përhershëm vepron në emër të Asamblesë midis dy seancave plenare dhe në punën e tij marrin pjesë kryetari dhe nënkryetarët e Asamblesë Parlamentare, kryetarët e një totali prej pesë grupesh politike, krerët e 46 delegacioneve kombëtare dhe kryetarët e nëntë komisioneve të Asamblesë.