Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho tha sot se duke votuar më 11 maj programin ekonomik “Made in Albania” të Aleancës për Shqipërinë Madhështore, shqiptarët do të votojnë për uljen e taksave dhe ndërtimin e një Shqipërie fuqi prodhuese dhe eksportuese në rajon.
Sipas Xhixhos, me programin ekonomik të Aleancës për Shqipërinë Madhështore do të “ulim numrin e shkallëve të ndryshme tatimore: taksa e sheshtë 10% mbi të ardhurat jo nga paga; zero taksim për profesionet e lira dhe biznesin e vogël; tavani vjetor për tatim fitimin zero për biznesin e vogël; TVSH do të ulet në 15%”.
Xhixho shtoi po ashtu se “taksa e ndikimit në infrastrukturë do të ulet nga 8% e çmimit të shitjes në 2% të preventivit; taksa 3% e strehimit social mbi çmimin e shitjes do të shfuqizohet; tarifa e rivlerësimit të pronës do të ulet nga 5% në 1%; energjia elektrike për biznesin nga 18-24 lekë që është sot, do të shitet në 6 lekë; taksa e shitjes së pronës do të ulet nga 15% në 2%”.
Zëvendëspresidentja e PL-së tha më tej se “taksa e karburantit hiqet dhe në të gjitha pikat e shitjes së karburantit nuk mund të shitet karburant me ndryshim çmimi plus/minus 10% me pompat e vendeve fqinje”.
Xhixho tha se “çdo shqiptar që vjen për të investuar në Shqipëri nuk do të taksohet për 5 vite kudo që të investojë, ndërsa për investimet në zonat malore nuk do të taksohet për 8 vite”.
Sipas saj, do të krijohet bordi që do të monitorojë dhe kompensojë dëmet e krijuara nga lëkundjet e kursit të këmbimit.
“Përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat deri në moshën 25 vjeç. Për gratë, tatimfitimi do të jetë zero për vitin e parë të biznesit. Do të subvencionohen sigurimet shëndetësore dhe shoqërore për 4 muajt e parë, me kushtin që gjysma e të punësuarve të jenë femra dhe të rinj”, u shpreh Xhixho.
“Me programin ekonomik “Made in Albania” do t’ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve”, e përmbylli Xhixho deklaratën nga selia e PL-së.