Partia e Lirisë thotë se do të angazhohet për të fituar 8 deputetë në listën e hapur.
Në një deklaratë për mediat, Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë Brunilda Haxhiu th se 11 maji është betejë historike.
“Këto zgjedhje mbahen në kushte jodemokratike, ku lideri i partisë së dytë opozitare në vend mbahet peng i drejtësisë së kapur. Partia e Lirisë, pjesë e Aleancës Për Shqipërinë Madhështore do të angazhohet shumëfish, jo vetëm për të fituar padiskutim 8 deputete në listë të hapur, por për të rrëzuar përfundimisht regjimin autoritar që ka vendosur Rilindja përgjatë qeverisjes së saj”, tha Haxhiu.
Haxhiu tha më tej se “jemi të vetëdijshëm se narkoqeveria po përdor çdo mjet të jashtëligjshëm për të mbajtur pushtetin, por ju sigurojmë se ajo është në grahmat e saj të fundit”.
Sipas Haxhiut “Aleanca për Shqipërinë Madhështore do të fitojë këto zgjedhje me frymën e shpresës dhe optimizmit, me programin e saj të shkëlqyer që mbështet familjen, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë dhe zhvillon ekonominë”.
“Ne nuk i mashtrojmë qytetarët me premtime të pambajtura, por vijmë me një program konkret, plotësisht të realizueshëm. Taksat e qytetarëve nuk do të shkojnë për afera korruptive të koncesioneve dhe PPP-ve, por për rritje pagash dhe dyfishim pensionesh. Asnjë ndihmë ekonomike nuk do të jetë nën minimumin jetik prej 200 eurosh. Ne do të përmirësojmë cilësinë e jetës për të gjithë shqiptarët. Shqipëria nuk do të jetë më e mbytur nga mallrat e importit, por do të jetë një fuqi prodhuese dhe eksportuese në rajon, duke mbështetur me subvencione dhe pagesa direkte bujqit dhe fermerët e vendit tonë”, tha Haxhiu.
Haxhiu theksoi se një tjetër prioritet madhor është mbështetja e arsimit dhe investimi në kapitalin njerëzor me 5% të PBB-së, që të rinjtë shqiptarë të mos e shohin më si alternativën e vetme braktisjen e vendit.
“Programi politik dhe lidershipi ynë na motivojnë fort për t’u organizuar drejt fitores së sigurte”, tha Haxhiu.