Policia në Belgjikë bastisi shtëpinë e ish-komisionerit evropian belg, Didier Reynders për shkak të dyshimeve për pastrim parash, raportoi e përditshmja belge “Le Soir”.
“Reynders, i cili shërbeu si ministër belg i Financave nga viti 1999 deri ne 2011 dhe si ministër i Jashtëm nga 2011-2019 – përpara se të merrte detyrën si Komisioner i Drejtësisë i BE-së në vitin 2019, u mor në pyetje nga policia dje pasdite pa u arrestuar”, sipas “Le Soir”.
Prokuroria e Brukselit konfirmoi se hetimi mbetet në vazhdim pa dhënë detaje të mëtejshme.
“Reynders ka ende imunitet sipas ligjit belg, megjithëse mandati i tij si komisioner i BE-së përfundoi të shtunën – që do të thotë se ai mund të hetohet dhe të merret në pyetje, por jo të arrestohet”, raportoi “Le Soir”.
“Le Soir” dhe media investigative “Follow the Money” thanë se Reynders dyshohet se ka blerë të ashtuquajturat ‘bileta elektronike’ pjesërisht me para në dorë gjatë disa viteve – dhe se ka transferuar fitimet në llogarinë e tij private.
Nuk dihet se nga kanë ardhur paratë për blerjen e këtyre biletave.
Biletat elektronike janë kupona llotarie me vlerë nga 1 deri në 100 euro.
Shuma e blerë rezervohet në një llogari virtuale me lotarinë kombëtare belge për t’u përdorur për lojërat e fatit në internet dhe fitimet e mundshme mund të paguhen në llogari bankare private.
“Reynders ishte në krye të lotarisë kombëtare të Belgjikës si ministër i Financave, por periudha e hetuar nis pas mandatit të tij dhe zgjat të paktën deri në vitin e kaluar”, tha “Le Soir”.
Komisioni i Lojërave të Fatit në Belgjikë, paralajmëroi në faqen e tij të internetit se – lojërat e fatit shpesh përdoren për të pastruar para.

