Shkup, 13 maj – Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, me mbështetje të UNICEF-it, sot do të organizojë ngjarje kushtuar përballjes me varfërinë e fëmijëve dhe përjashtimin social.
Siç është paralajmëruar, do t’i prezantojë gjetjet kyçe për grupet e fëmijëve më të brishtë dhe rekomandime për politika për pako gjithëpërfshirëse të shërbimeve që duhet të shqyrtohen në kuadër të Garancisë Evropiane për Fëmijë në vend. Në këtë ngjarje do të prezantohen edhe përvoja në zbatimin e modelit për garanci për fëmijë si instrument për përballje me varfërinë fëmijërore.
Ngjarjen do ta hapin ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani dhe përfaqësuesja e UNICEF-it në vend, Lesli Miler. Do të marrin pjesë përfaqësues të ministrive, anëtarë të komisioneve të Kuvendit, Avokati i Popullit dhe faktorë të tjerë shoqërorë dhe përfaqësues të organizatave civile dhe ndërkombëtare.
Nga Zyra e UNICEF-it në Shkup theksojnë se varfëria dhe përjashtimi dukshëm ndikojnë ndaj jetës së fëmijëve, duke e penguar qasjen në shërbime sociale bazë dhe në mundësi për zhvillim.
“Çdo i treti fëmijë në Maqedoninë e Veriut jeton nën pragun kombëtar të varfërisë, që është një rritje krahasuar me vitin 2019 kur kjo përqindje ishte 27,8 dhe i bën fëmijët një nga grupet më të brishta në shoqëri. Dyzet për qind e fëmijëve përballen me varfëri shumëdimensionale, sipas treguesit të BE-së për fëmijët në rrezik varfërie ose përjashtimi social. Të dhënat e anketave familjare tregojnë se deri në 73 për qind e fëmijëve janë të ekspozuar ndaj disiplinës së dhunshme në shtëpi, dhe afërsisht 20 000 fëmijë nuk kanë kujdes shëndetësor efektiv. Më pak se 37 për qind e fëmijëve të moshës 3 deri në 6 vjeç kanë qasje në arsimin parashkollor, ndërsa gjysma e fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk përparojnë në arsimin e mesëm për shkak të mungesës së masave mbështetëse”, bën të ditur UNICEF-i.
Edhe krahas qasjes në shërbime themelore, siç janë mbrojtja shëndetësore dhe sociale, dhe arsimi, fëmijët të cilët përballen me varfëri dhe përjashtim përballen me pengesa më të mëdha për shkak të asaj që sistemet nuk janë të përshtatura me nevojat e tyre.
“Në bazë të modelit të Garancisë Evropiane për Fëmijë, UNICEF-i bashkëpunon me Qeverinë që t’i identifikojë grupet më të brishta të fëmijëve dhe t’i vlerësojë shërbimet dhe programet ekzistuese për përballje me varfërinë e fëmijëve dhe përjashtimin social”, bëhet e ditur në kumtesë.
