By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
Argument-MKArgument-MK
  • Balllina
  • Maqedoni
  • Shqipëri
  • Ekonomi
  • Bota
  • Analiza
  • Kronika
  • Showbizz
  • Sport
  • + Më tepër
Reading: Prof. Dr. Fatmir Sulejmani mori pjesë në tryezën shkencore kushtuar 90-vjetorit të lindjes së akademikut Ali Aliu
Share
Notification Show More
Font ResizerAa
Font ResizerAa
Argument-MKArgument-MK
  • Editorial
  • Analiza
  • Rekomanduar
  • Balllina
  • Maqedoni
  • Shqipëri
  • Ekonomi
  • Bota
  • Analiza
  • Kronika
  • Showbizz
  • Sport
  • + Më tepër
Follow US
  • Advertise
© 2022 Foxiz News Network. Ruby Design Company. All Rights Reserved.
Argument-MK > Blog > Kulturë > Prof. Dr. Fatmir Sulejmani mori pjesë në tryezën shkencore kushtuar 90-vjetorit të lindjes së akademikut Ali Aliu
Kulturë

Prof. Dr. Fatmir Sulejmani mori pjesë në tryezën shkencore kushtuar 90-vjetorit të lindjes së akademikut Ali Aliu

admin
Last updated: 03/04/2024 14:58
By admin 8 Min Read
Share
SHARE

Në organizim të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së akademikut Ali Aliu, më 2 prill 2024, në Prishtinë u mbajt tryezë shkencore, me temë: “Krijimtaria letrare e Ali Aliut”.

Në këtë veprimtari të rëndësishme referuan emra të njohur nga lëmi i studimeve albanologjike nga Republika e Kosovës dhe Shqipërisë, ndërkaq nga vendi ynë, përkatësisht nga Universiteti i Tetovës, mori pjesë Prof. Dr. Fatmir Sulejmani, i cili e paraqiti studimin: “Njeriu, studiuesi dhe kritiku letrar Ali Aliu”.

Ai theksoi se emri i Ali Aliut u bë i njohur gjatë viteve të terrorit rankoviqian, kur punonte si gazetar në “Flakën e vëllazërimit” dhe ishte vazhdimisht nën survejimin e agjentëve të UDB-së. “Autoriteti i tij u rrit shumë në vitin 1967, pas serisë së shkrimeve me titull “Tetova shikuar nga afër”, me të cilat theu tabunë e heshtjes kronike për padrejtësitë e partisë shoviniste maqedonase ndaj shqiptarëve. Aliut i mjaftuan vetëm 4 shkrime fejtonistike për t’u dhënë tetovarëve dhe jo vetëm zjarrin, me të cilin i zgjoi nga gjumi dhe ua bëri me dije sa është ora? Shkrimet në fjalë shkundën rehatinë e pushtetarëve dhe u konsideruan si nxitëse të demonstratave, që shpërthyen më 1968 në Tetovë e gjetiu dhe u bënë objekt analizash nëpër komitete qendrore dhe nëpër strofulla spiunësh, të cilët në eliminimin e tij nga skena e jetës shoqërore e kulturore shihnin rastin e avancimit në karrierë. Në vitet e 80-ta pushteti maqedonas, bashkë me lakejtë shqipfolës, hoqi nga përdorimi tekstet shkollore, antologjitë dhe veprat tjera të profesor Aliut. Ishte kjo koha kur me udhëzimet e politikës lokale e qendrore, u sekuestruan librat e bibliotekave të shkollave shqipe dhe u burgosën në bodrumet e ndërtesave shtetërore, gjersa u kalbën dhe u bënë të papërdorshme” – tha Prof. Dr. Fatmir Sulejmani.

Ai më tej shtoi se kur përndjekja u bë e padurueshme, Profesori, njësoj si disa intelektualë të tjerë, erdhi në Kosovë, ku, nga viti 1974-1981, jeta frymonte pak më lirshëm se në Maqedoninë e Veriut, që asokohe u bë poligoni ku matej pulsi dhe durimi i shqiptarëve, sepse në RMV, që në vitet e 80-ta, u ndërpre mësimi në shkollat e mesme shqipe.

“Akademik Ali Aliu është njëri ndër personalitetet më të shquara të kulturës dhe letërsisë shqipe, i pranishëm, i dashur dhe i nderuar në gjithë Shqiptarinë. Opusi krijues i tij është shumë i gjerë dhe përfshin vepra të shumëllojshme: studime monografike, kritika, ese letrare, teori letërsie, antologji të poezisë shqipe, tekste për shkollat fillore dhe të mesme, artikuj mbi artin letrar dhe kulturën në përgjithësi, shkrime publicistike etj. Në epiqendrën e krijimtarisë së akademikut është kritika dhe studimet letrare, kurse specialiteti i tij i ngushtë lidhet me poezinë refleksive të letërsisë bashkëkohore, që, siç shprehet vetë: “Është përplot shqetësim për fatet e qenies kolektive, për rrjedhat politike dhe moralin e kohës sonë…, poezi që s’është krejtësisht e hapur e që kërkon një mbathje teorike për të vënë kontakt normal me të”. Profesionalizmin në këto fusha dhe jo vetëm Ali Aliu e ka dëshmuar që moti. Jo rastësisht shkrimet korrekte dhe opinioni i mirë publik për to, kanë afirmuar veprat e arrira të shumë krijuesve dhe kanë ndikuar në gjetjen e vendeve të merituara në shkallët e hierarkisë së vlerave. Ali Aliu ka bërë shumë për kulturën shqiptare. Ka ndjekur në vazhdimësi krijuesit e mirëfilltë, duke vënë në pah vlerat e veprave të tyre. Si rrallë kush, ua ka zgjatur dorën edhe talentëve të rinj, duke i lëvduar për arritjet dhe njëkohësisht duke ua tërhequr vërejtjen për mangësitë që duhet t’i tejkalojnë. Për shkak të këtij përcaktimi dhe parimeve të shëndosha që nuk durojnë kompromise, është ballafaquar shpesh me zemratën e mediokriteteve të cilëve nuk ua var veshin, i vetëdijshëm se, në vendet e vogla, ku secili njeh secilin, kritiku letrar i paguan tagre të rënda profesionit të tij”- deklaroi profesori Fakultetit Filologjik të UT-së, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani.

Referuar vështrimeve kritike ai nënvijëzoi se akad. Ali Aliu ndalet në aspektet më të rëndësishme dhe të veçanta të veprave, në detajet që hedhin dritë mbi të tërën dhe nxjerrin në pah atë që është thelbësore në planin social, jetësor, njerëzor dhe veçmas në planin artistik. Këtë e arrin falë qasjes serioze ndaj veprave të lexuara nga gjethet tek rrënjët, zhytjes së thellë në shtresat e nëntëshme, në të pathënat e autorëve dhe analizave filigraniste.

“Njohuritë e thella, të plota dhe të përpikta për letërsinë i japin siguri t’u ofrojë libërdashësve mundësi të reja leximi, pa cenuar të drejtën e tyre për lexime ndryshe, sepse një vepër arti komunikon me lexuesit në versione të pafundme. Studiuesi dhe kritiku Ali Aliu në asnjë rast nuk e ka vënë shenjën e barazimit midis veprës dhe krijuesit, pavarësisht autoritetit të kujtdo qoftë të fituar në luftë, në politikë, në biznes apo në fusha tjera, që nuk kanë lidhje me artin letrar. Ai është sfidanti i ndikimeve politike dhe ideologjike në letërsi. Në sajë të këtyre qëndrimeve nuk e bëri kurrë model krijuesi mediokritetin dhe nuk e ndihmoi me asnjë gjykim të vetëm akulturimin e shqiptarëve, nëpërmjet paçavureve të pavlera, që veçmas gjatë viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, stërkeqën shijen edhe ashtu modeste ndër ne. Kujdes të veçantë ka treguar edhe për shqipen estetike. Prandaj, edhe në aspektin gjuhësor, analizat e tij janë ndër më korrektet”- veçoi Prof. Dr. Fatmir Sulejmani.

Në përmbyllje paraqitjes të punimit shkencor ai vlerëson se Ali Aliu është kronikani më i devotshëm i vlerave letrare shqiptare, që nga zanafilla e gjer në ditët e sotme. Ai nuk e ndau trungun e letërsisë shqipe në degë e në krande, siç tentojnë ta ndajnë disa të tjerë, ndaj shkroi dhe vazhdon të shkruajë me të njëjtin përkushtim për letërsinë e vetme shqipe, pavarësisht kufijve artificialë që ndajnë trojet tona. Ai shkroi me respekt edhe për veprat e autorëve të ekskomunikuar. Nuk shkeli në dërrasën e hatrit të rremë shqiptar, të cilësuar prej kohësh më i rëndë se topuzi dhe, që është më e rëndësishme: nuk rrëshqiti dhe nuk la pas vetes shkrime për të cilat sot do të ndihej i turpëruar.

You Might Also Like

Pllakatë në Paris në nder të Ismail Kadaresë, aty ku shkrimtari shkroi faqet më të bukura letrare

Lamtumirë miku im Nonda Kajno!

PESHKATARI

Doku n’Çarshi! – Java Kulturore e Çairit

Ndahet nga jeta Arsim Abazi, koleg i Teatrit Kombëtar të Kosovës

Share This Article
Facebook Twitter Whatsapp Whatsapp LinkedIn Email Copy Link Print
Previous Article Dashtevski: Pres zgjedhje korrekte dhe demokratike, KSHZ-ja vepron konform ligjit
Next Article Pendarovski: Të kontrollohet pasuria e të gjithë politikanëve nga vitet e 90-ta e deri tani

Stay Connected

FacebookLike
TwitterFollow
YoutubeSubscribe
TelegramFollow
- Advertisement -
Ad imageAd image

Latest News

Kasami merrë mbështetje në Malësinë e Tetovës, premton më shumë projekte se deri tani
Maqedoni
Menduh Thaçi mobilizon strukturat e PDSH-së në Zhelinë: Koha është për veprim dhe unitet!
Maqedoni
Elmazi: VLEN tregoi sot unitetin shqiptar, jemi krah për krah për Sarajin!
Maqedoni
Kandidati i VLEN për Tearcë, Daut Memishi takon partinë turke TDP dhe deputetin Bejxhan Iljazin: Më 19 tetor vjen ndryshimi
Maqedoni

Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit “Argument”.

Quick Link

  • Editorial
  • Analiza
  • Rekomanduar

Sign Up for Our Newsletter

Subscribe to our newsletter to get our newest articles instantly!

© 2024 ArgumentMK - . All Rights Reserved.
Welcome Back!

Sign in to your account

Lost your password?