Ndërkohë që gjatë Presidenca e Kosovës njoftoi gjatë ditës se ende nuk është caktuar një prokuror për të hetuar kanosjet ndaj shefes së shtetit, Prokuroria Speciale e Kosovës thotë se, të enjten, kur është njoftuar për kanosjen ndaj presidentes, është caktuar prokurori përgjegjës për rastin.
Prokuroria Speciale ka njoftuar për KosovaPress, se i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me kanosjen e presidentes Osmani.
“Për më shumë, pas pranimit të informacionit nga Policia e Kosovës, në lidhje me rastin në fjalë, Prokurori kujdestar nga Prokuroria Speciale, ka autorizuar njësitë kompetente të Policisë se Kosovës për të vepruar menjëherë në drejtim të identifikimit dhe zbulimit të autorit/ve të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale. Ndërsa, të enjten kur edhe është pranuar raporti policor në lidhje me veprimet fillestare, menjëherë është caktuar prokurori përgjegjës nga Prokuroria Speciale dhe rastin do ta trajtoj me prioritet të lartë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të siguruar zbardhjen e plotë të çështjes dhe ndëshkimin e përgjegjësve të këtyre akteve”, thuhet në njoftim.
Prokuroria thotë se është në koordinim të plotë me organet e sigurisë, për të garantuar mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të përfaqësuesve të lartë shtetërorë.
Këshilltari për media i presidentes Bekim Kupina ka thënë sot për KosovaPress, se policia ka konfirmuar se prokuroria nuk ka ngarkuar ende asnjë prokuror për trajtimin e rastit.
Presidenca kohë më parë kishte njoftuar se Vjosa Osmani kishte marrë një kërcënim për jetë përmes postës elektronike zyrtare.
